Ministrja për Punët e Jashtme dhe Europën, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Hagë, është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se i ka shprehur Hashim Thaçit mbështetjen e Ministrisë së Jashtme dhe të qeverisë shqiptare Hashim Thaçit.

Po ashtu Spiropali deklaron se vendimi i Gjykatës Speciale, duhet të japë vendimin e drejtë për ish-drejtuesit e UÇK-së, pasi sipas saj, nuk mund të njolloset lufta e drejtë.

Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Hashim Thaçi dhe përmes i tij, i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.

Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në një gjendje të mirë, i ndiqte zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, sigurisht për të parë dy vendet tona sa më mirë. I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të kryeministrit Rama për një proces të rregullt dhe të dretë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike. Ne urojmë shumë që ky vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës, për të votuar Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërtën e vetë, por të respektojë të drejtat ligjore. Ne urojmë që besimi që kanë shqiptarët kundrejt drejtësisë ndërkombëtare të jetë i përligjur deri në fund. Është me rëndësi që ta theksoj sërish që populli i Kosovës, djem dhe vajza u ngritën për të mbrojtur njerëzit e tyre dhe jetën në atë vend dhe kurrsesi për të agresuar një vend tjetër. Dhe kjo luftë për liri nuk mund të njolloset, kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë”, tha Spiropali.

Ndërkohë më herët, Spiropali u prit në takim ditën e sotme në Hagë nga Ministri i Jashtëm holandez David van Weel. Takimi ka pasur fokusin partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë, ndërsa dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian.

Në postimin e saj në Facebook, Spiropali thekson se qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.