TIRANË – Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke përkujtuar rolin historik të Ismail Qemalit dhe patriotëve që luftuan për lirinë e vendit.

“113 vjet pas nëntorit të lavdishëm të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur, Plakut të Vlorës, dhe patriotëve shqiptarë që me shekuj luftuan anë e kënd për Flamurin Kuq e Zi, i cili na bashkon, afron dhe frymëzon si komb, drejt qëllimit tonë kombëtar: të çojmë flamurin e Kastriotit në Sofrën e familjes sonë Europiane,” shkruan Spiropali në mesazhin e saj.

Ministrja thekson lidhjen e shqiptarëve me Europën, duke e konsideruar të përbashkët identitetin, historinë, kulturën dhe vizionin për të ardhmen.

“Me përulje para sakrificës së të parëve, krenarë për atë që jemi, krah për krah me të gjithë bashkëkombasit kudo në botë! Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo janë e jetojnë!”, përfundon urimi i ministres.