Rrjetet sociale vazhdojnë të jenë terren për shpërndarje urrejtjeje, veçanërisht ndaj sportistëve. Observatori Spanjoll i Racizmit dhe Ksenofobisë (Oberaxe) publikoi një raport që mat nivelin e ofendimeve në internet. Në aspektin individual, “fituesi” i trishtueshëm është Lamine Yamal, i cili merr rreth 60% të fyerjeve në rrjete, me etiketime raciste si: ‘majmun i mutit’, ‘kurvë e zezë’, ‘duhet të kthehesh në vendin tënd’ etj.

Drejtori i “Oberaxe”, Tomás Fernández, thotë se sulmet lidhen me origjinën dhe ngjyrën e tij të lëkurës. Pas tij renditen Vinicius me 29% dhe Mbappé me 3%, ndërsa Nico dhe Iñaki Williams, Balde dhe Brahim marrin nga 2%.

Në nivel klubesh, më i godituri është Real Madridi (34%), i ndjekur nga Barcelona (32%) dhe befas Valladolid (17%). Më poshtë vijnë Valencia (8%), Athletic (6%), Real Sociedad (5%) dhe Atlético (4%). Fernández paralajmëron se kjo gjuhë degraduese pasqyron realitetin shoqëror dhe mund të përshkallëzohet edhe në agresione fizike.