Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika ishin 4 qytetarë që u vranë nga të shtënat e Gardës së Republikës gjatë protestës para Kryeministrisë në 21 janar 2011.
Ditën e sotme në “Shqipëria Live”, gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje mbi audio-përgjimin që ka dorëzuar në SPAK, që sipas tij, çoi dhe në rihapjen dhe rihetimin e çështjes. Hoxha tha se në audi-përgjim janë regjistruar komunikimet që kreu i Gardës në atë kohë, Ndrea Prendi ka patur me të gjithë zinxhirin e autoriteteve, nga efektivët e tij, tek Ministria e Brendshme dhe vetë kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha.
“Është një audio-përgjim që e kam dorëzuar në SPAK personalisht. Unë për çdo deklarim në SPAK kam qëndruar mbi 4 orë. Berisha sot vetëm 2 orë. Nuk besoj se i kanë ezauruar të gjitha pyetjet me gjithë ato prova që kanë. Ai ka shumë informacion mbi këtë ngjarje. Por ka një gjë, detaji që e vuri në lëvizje ’21 Janarin’, pra që finalizoi me kallëzimin e familjarëve të viktimave, ishte audio-përgjimi që dorëzova unë. Nuk është çështje e gjykuar sepse dy viktimat janë pa autor. Por tani nuk e vë më njeri në dyshim që vrasjet janë bërë nga shteti. Të gjithë zyrtarët e asaj kohe nuk e shmangin dot këtë përgjegjësi pas vendimit të Gjykatës së Strasbugut. Pas kësaj erdhi vendimi i Gjykatës së Lartë që e ndihmon SPAK.
Në këtë çështje është i rëndësishëm dhe libri i Bamir Topit sepse ai ka qenë president dhe kishte informacion në klasifikuar. Të kthehemi tek Berisha. Në 2011 hetimi i parë u varros. Arsyen pse e tha gjykata e Strasburgut, u manipuluan provat, u mbulua ngjarja. Hetimi me kohë nuk është bërë sepse s’ka patur vullnet politik. SPAK nuk e mori me dëshirë, e detyroi Gjykata e Lartë me vendim. Kjo ishte hera e parë që Berisha flet për këtë çështje për autoritetet e drejtësisë. Mund të thirret sërish.
Audio-përgjimi është ruajtur me diktofon. Më është kërkuar të bëj kopje, por nuk e kam shpërndarë. E donin mediat që tani e vënë në dyshim. Atu flitet dhe për Bashën. Kodet që kam zbuluar janë komunikimet e brendshme të Gardës, Ministrisë etj. Personat që flisnin kanë patur kode, nuk dilnin me emra. Bashës po i jepet mundësia të tregojë pozicionin e vet. Në kryeministri nuk komandonte Basha dhe policia që komandohej nga Basha ishte larguar, aty ishte vetëm Garda.
Në zonë ka patur sistem kamerash dhe e gjithë zona ishte e mbuluar. Madje ka patur dhe sistem që regjistronte të gjitha bisedat. Unë kam dalë diku nga ora 11 kam folur për ngjarjet. Por pas orës 1 natë, janë fshirë të gjitha pamjet dhe regjistrimet. Janë fshirë provat. Është thënë se sistemi i Gardës që i regjistronte të gjitha është thënë se nuk punonte, por në fakt punonte. Materiali tregon që vrasjet janë bërë me urdhër. Personi i përgjuar është komandanti i Gardës. Janë të gjithë komunikimet e tij me zinxhirin komandues. ‘Ta ta ta gjakos’ është urdhri që u dha për vrasjet. Vrasjet u bënë për 8 sekonda. Po të kishte zgjatur më shumë do ishte bërë kasaphanë.
Berisha sot ia la autorësinë Gardës. Por urdhri nuk u dha nga Garda. E vetmja e shtënë brenda godinës së kryeministrisë, ishte grushti që iu dha Ndrea Prendit. Vrasjet ndodhën jashtë. Të shtënat janë bërë nga vendet ku ishin fshehur efektivët e gardës, dhe një e shtënë tjetër ka ardhur nga dera kryesore e kryeministrisë. Zivaer Veizi në hyrjen e kryeministrisë, porta e jashtme. Faik Myrtaj ndodhej tek kullat, në trotuar. Hekuran Deda u vra në platformën e mediave, ndodhej Top Channel aty. Aleks Nika ndërkohë është në pjesën e jashtme dhe plumbi u qëllua nga dera e jashtme e kryeministrisë.
Kam folur me Altin Dumanin para se të bëhej drejtues i SPAK. Dumani më ka thënë që nuk e merrte dot SPAK nën hetim sepse ishte nga Prokuroria e Tiranës. Ai e njihte shumë mirë çështjen prandaj unë dhe familja Nika donim ta hetonte ai. Ai e ka mbrojtur në Gjykatën e Apelit dhe varianti që ai ka mbrojtur përputhej me çështjen që kishim ne. Unë dhe sot i bëj apel që ta vijojë hetimin për këtë çështje dhe t’i japë rëndësinë e duhur. Duhet të merren në pyetje të gjithë zyrtarët. Edhe kryeministri Edi Rama mes shumë të tjerëve.”- tha Hoxha.




















