Tensione të forta janë regjistruar këtë të hënë në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme, ku ka pasur një përplasje verbale mes kryetarit të komisionit, Bledi Çuçi, dhe deputetit demokrat Flamur Noka.
Incidenti nisi kur Noka foli pa mikrofon, ndërsa sipas burimeve nga mbledhja, në një moment ai iu drejtua deputetëve të mazhorancës me fjalët:
“Ju shoh në një moment si mashkull, në një moment si femër, në një moment si organ seksual.”
Deklarata shkaktoi reagimin e menjëhershëm të deputetit socialist Agron Malaj, i cili i tha: “Kë sheh?”
Noka thuhet se drejtoi gishtin nga Çuçi, ndërsa kryetari i komisionit iu përgjigj me ton të lartë: “Kë sheh? Kë sheh?” Pas kësaj, Çuçi ndërpreu mbledhjen.
Pas rifillimit, Çuçi lexoi rregulloren dhe njoftoi përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca, duke i kërkuar atij të largohej nga salla.
“Sapo mora masën për zotin Noka për përjashtimin nga mbledhja e komisionit. Nëse deputeti nuk pranon të dalë nga salla, drejtuesi kërkon nga sekretariati marrjen e masave për përjashtim nga komisionet për 10, 30 ose 60 ditë. Unë do të kërkoj përjashtimin me 10 ditë. Ju lutem, dilni,” tha Çuçi.




















