Dje u zhvillua protesta e shumëpritur e Partisë Demokratike në Tiranë. Meqenëse aty u mblodhën aq pak njerëz sa mund t’i nxinte edhe një sallë, lideri i Partisë Demokratike tha se ajo nuk ishte protestë, por “Foltorja 2”, parlamenti i hapur i qytetarëve. Me të drejtë juristi Ylli Manjani shkroi me ironi në Facebook se mund t’i kërkojnë Ramës sallën e COD-it për t’i mbajtur këto fjalime të Foltores 2, dhe me siguri ai do t’ua japë. Sepse edhe Ramës i leverdis fasada e pluralizmit.
Por unë dua të ndalem në një detaj tjetër dhe jo te numri i pjesëmarrësve në protestë. Sali Berisha përsëriti prapë se me Edi Ramën kryeministër në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Ka më shumë se njëzet vjet që Partia Demokratike u thotë shqiptarëve këtë frazë që e kanë mësuar përmendësh: “Zgjedhje të lira me Ramën kryeministër nuk ka.” E thotë Sali Berisha me zë të fortë, e përsërisin drejtuesit e tjerë me zë më të butë, e mërmërisin deputetët nën hundë, e fishkëllijnë militantët te dera e selisë.
Për të qarë dhe për të qeshur. Do ishte njëlloj sikur në prag të ndeshjes Partizani–Tirana, trajneri i Partizanit të mblidhte lojtarët dhe t’u thoshte: “Shiko, ne nuk e mundim dot Tiranën! Por do futemi në lojë se për këtë na paguajnë!”
Logjika e PD-së është një rreth vicioz që s’ka dalje: Ata duan që pa u bërë zgjedhje, Edi Rama të largohet nga kryeministër. Por që të largohet Rama nga pushteti, duhet ta mundësh me zgjedhje. Po zgjedhje të lira, sipas tyre, nuk ka me Ramën kryeministër. Dhe që të mos jetë Rama kryeministër, duhet të fitosh zgjedhjet. Dhe që të fitosh zgjedhjet, duhet të ketë zgjedhje të lira. Dhe që të ketë zgjedhje të lira… Rama nuk duhet të jetë kryeministër.
Sa herë PD humb, qoftë zgjedhje parlamentare, bashkiake apo çfarëdo lloj votimi tjetër, gjithmonë ka dikush që del para kamerave dhe thotë: “Me Ramën nuk fitohet.” Është kaq e lehtë, kaq komode, kaq e bukur për t’u thënë. E hedh përgjegjësinë jashtë partisë. Të mbron nga pyetjet e vështira. Të shpëton nga autokritika. Të shpëton nga reforma e brendshme. Dhe mbi të gjitha, i jep një arsye të artë çdo anëtari të zhgënjyer: “Mos u mërzit, nuk ishte faji ynë.”
Në një vend demokratik, kryeministrat rrëzohen me vota. Përdoren fletët e votimit, jo lutjet. Populli vendos, jo konkluzionet e konferencave për shtyp. Por PD, në vend që të luftojë për votën, ta mbrojë atë, të frymëzojë popullin që ta ndjekë, për programin, për besimin, për energjinë, për fytyrat e reja, për organizimin, është varur idesë se Rama është problemi universal, si një superfuqi që kontrollon gjithçka, madje edhe erën që fryn ditën e zgjedhjeve.
Duke e bërë Ramën kaq të gjithëfuqishëm, PD përfundon duke e ngritur lart pikërisht atë që do të rrëzojë. Është pak si të ankohesh se “s’mund të luajmë basketboll sepse kundërshtari është shumë i gjatë.”
Është shumë e qartë sot se shqiptarët kanë një dyshim të madh: mos vallë PD nuk e do fitoren aq shumë sa pretendon? Ndoshta ajo që i duhet PD-së është vetëm një justifikim i bukur për humbjen, jo fitorja vetë. Fitorja kërkon punë, djersë, ndryshim, shkundje, hapje. Ndërkohë, justifikimi është falas dhe gati për përdorim sa herë të duash. Fitorja është e vështirë. Alibia është e thjeshtë.
Dhe PD mezi pret alibitë. Ka një koleksion muzeal prej tyre. Në fillim u fajësua administrata. Pastaj patronazhistët. Pastaj procesi zgjedhor. Pastaj reforma territoriale. Pastaj media. Pastaj klima politike. Pastaj vapa. Pastaj acari. Pastaj blerja e votave. Pastaj shitja e votave. Pastaj mungesa e votave. Dhe në fund mbetet vetëm një fajtor suprem: Edi Rama.
A i përdor Edi Rama ato që thotë PD-ja? Po sigurisht. Por ama PD çfarë bën, si i kundërpërgjigjet? Konferencë për shtyp të Berishës me të njëjtin fjalor, të njëjtat fytyra dhe në të njëjtën orë. Me këtë ritëm, edhe sikur Rama të mos merrte pjesë fare në zgjedhje, PD do gjente sërish mënyrë të humbte dhe do të thoshte: “Rama ka manipuluar me mungesën e tij.”
Nëse PD beson vërtet se zgjedhjet nuk vlejnë, atëherë nuk ka më asnjë arsye të ekzistojë si parti. Demokracia është votë. Nëse nuk i beson votës, nuk i beson demokracisë. Dhe nëse nuk i beson demokracisë, si të besojnë qytetarët ty?
PD është si një pasqyrë e thyer ku sheh veten vetëm në copëza. Nuk ka identitet të qartë. Nuk ka drejtim të qartë. Nuk ka unitet. Nuk ka strategji. Dhe mbi të gjitha, nuk ka sinqeritet. Sepse sinqeriteti do të thoshte të dilje dhe të thojë: “Ne nuk po bindim dot shumicën e shqiptarëve. Duhet të ndryshojmë.” Por jo. Më mirë thuhet: “Nuk fiton dot njeri kundër Ramës.” Më mirë thuhet: “S’kishim çfarë bënim.” Më mirë thuhet: “Rama i di të gjitha.” Në këtë mënyrë, PD e ka kthyer Ramën në legjendë. Në një lloj superheroi negativ, që i bën dëm vetëm nga mendja, pa qenë nevoja të lëvizë.
Dhe kështu, PD ka ndërtuar një mit të çuditshëm: një kryeministër që nuk rrëzohet dot. Jo se është i mirë, por se është i pamundur për t’u mundur. Ndërkohë, demokracia është shumë më e thjeshtë se kaq: nuk ka kryeministër të pamundur për t’u mundur. Ka vetëm parti të paafta për ta mposhtur. Dhe kështu, çdo katër vjet, PD del me të njëjtën deklaratë: “Herën tjetër fitojmë.” Por në të njëjtën fjali, shton edhe: “Me këtë kryeministër nuk fitohet.” Kjo është si t’i thuash vetes: “Do të bëhem kampion bote në not, por mos më hidhni në ujë se nuk nxjerr dot kokën.”
E gjithë kjo situatë është një paradoks i madh që të bën të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. PD thotë se Rama nuk largohet me zgjedhje. Po si largohet? Me urime? Me statuse në Facebook? Me grushta koke në konferenca shtypi? Me shpresë se një ditë Rama do zgjohet dhe do thotë: “Sot kam qejf të mos jem më kryeministër”? Kjo e fundit, për shembull, ka më shumë gjasa të ndodhë.
Në fund, e gjitha zbret te një e vërtetë e thjeshtë: Rama nuk largohet sepse PD nuk arrin të fitojë kundër tij. Dhe PD nuk arrin të fitojë kundër tij sepse PD nuk e bind dot popullin. Dhe PD nuk e bind dot popullin sepse PD ka zgjedhur ta shpjegojë humbjen me universin, jo me veten.
Të gjithë shqiptarët e dinë pse PD nuk fiton dot dhe pse numri i militantëve të saj, i përkrahësve, po rrudhet gjithnjë e më shumë në protestat imagjinare. Të gjithë e dinë pse PD nuk i imponohet dot pushtetit për ta frenuar në abuzimet me votën dhe shpërdorimin e pushtetit. Të gjithë e dinë pse nuk frymëzon dot askënd. Sepse janë të njëjtat fytyra dhe e njëjta politikë prej 30 vitesh. Të provuar dhe të sprovuar. Një parti pa demokraci të brendshme dhe pa zgjedhje të lira brenda saj, dhe mbi të gjitha me një figurë të diskredituar edhe ndërkombëtarisht si Sali Berisha dhe grupi i tij rreth e rrotull. Sa të jenë këta faktorë, Rama do të fitojë gjithmonë. Dhe nuk është çudi që pas ca kohësh do të jenë aq pak sa vërtet Edi Rama do t’u japë një zyrë në Kryeministri ku të mblidhen për të bërë protestën e radhës.




















