Në një konferencë për shtyp këtë të enjte, Sali Berisha, kreu i PD-së, është përgjigjur për thirrjen e tij në SPAK në lidhje me 21 Janarin. Berisha ka thënë se nuk ka koment dhe se u është përgjigjur organeve të drejtësisë gjatë gjithë jetës së tij.

“I jam përgjigjur gjatë jetës sime çdo thirrje të organeve të drejtësisë. Nuk ka koment. Por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrje, ata që përdorin këtë për propagandë, për të mbuluar skandalin Rama-Balluku të tunelit të Llogarasë, kryejnë një akt të shëmtuar. 21 janari, që kur ne kemi humbur pushtetin e deri sot, është penguar të rihetohet vetëm e vetëm për shkak të Edi Ramës, sepse deklaratat e qeverive të SHBA-së dhe BE-së janë shumë të qarta: kërkojnë hetime nga policia te organizatori kryesor. Prej 13 vitesh kjo çështje përdoret për propagandë. Shoferi që solli dhe që i përdori njerëzit mish për top, siç e tha Ben Blushi, ishte Edi Rama.” – tha Berisha.