Nga Minella Aleksi
Mendoj se gjithëçka që u tha për politikanin dhe njeriun Fatos Nano përmblidhet në një ide mbizotëruese se, pas thënies së Dritëro Agollit: “Unë po largohem, se nuk e duroj dot erën e të vdekurit”, Fatos Nano devijoi fort nga norma konformiste e grupimit politik të cilit i përkiste, dhe i hapi rrugën progresit.
Karakteristikat individuale të udhëheqsit përcaktojnë përshtatjen e sjelljes së partisë drejt suksesit. Udhëheqsi deviator është një person, sjellja ose besimet e të cilit janë të ndryshme nga konformizmi i turmës. Të qëndrosh në status-quo është e rehatshme. Është si të ngrihesh në mëngjes dhe të qëndrosh me pizhame gjithë ditën – e lehtë, por aspak nxitëse, jo frymëzuese.
Me Sali Berishën në krye pdistët qëndruan pa hequr pizhamat e komunizmit. Udhëheqsi i tyre i qëndroi besnik traditës epike luftarake të luftë së klasave nga epoka komuniste. Në mekanikën inxhinjerike, në zhvillimin fizik personal, në menaxhimin organizativ, etj. zbatohet një parim universal. parimi se, forca vjen nga flexibiliteti, jo nga rigiditeti. Analogjia e një peme të pa lëkundëshme, rigide e të papërthyeshme, që bie dhe thyhet nga një erë e fortë, ndryshe nga pema e përkulëshme që i reziston erës së fortë. Apo në kërcimin së larti bambuja flexibël krahasuar me shkopin rigid, (të ngurtë) prej druri.
Në një kontekst shëndeti fizik mjeku Sali duhej ta kish parasysh se shëndeti dhe performanca optimale kërkojnë një ekuilibër midis forcës dhe flexibilitetit, ngurtësisë së tepërt që thyen dhe flexibilitetit që lejon një gamë më të madhe lëvizjesh dhe përshtatshmërie. Në marshimin e PD-së nga fitorja në fitore ka pasur ndodhi luftarake me mocionistë, me të përjashtuar, deviatorë të eleminuar, të rrahur e deri plangprishës të rikthyer.
Në gjithë mozaikun e kopshtit Pdistë ka munguar vetëm një tip njeriu: Udhëheqsi me tipar “Deviatori nga norma, Progresisti”. Mëndja e Sali Berishës po aq sa mëndja paranojake e Enver Hoxhës, mbeti një fabrikë frikërash nga humbja e pushtetit,. Sali Berisha ishte dhe mbeti “Njeriu i institucionalizuar”, zbulues deviatorësh i burgosur brënda mureve të mëndjes së vet. Dëshmoi se, çfarë mendon, bëhesh.
Në mentalitetin komunist deviatori është armik i partisë, në kulturën perëndimore antikonformizmi shihet si një akt guximi. Sëbashku me PD-ën Berisha i qëndroi kokëfortësisht besnik parimit të konfliktualitetit: “Pushteti politik lind nga gryka e pushkës” dhe, “mbrohet me grykën e pushkës”.
Ndryshe nga PD-ja, PS-ja përqafoi fleksibilitetin. Që në fillim Fatos Nano në Kongresin e 10të të partisë e kapi në ajër sinjalin e dhënë nga Dritëroi dhe deklaroi shkëputjen përfundimtare nga establishmenti komunist. Në krye të PS-së, me intuitën e hollë të deviatorit nga norma, ka menduar për helmin e konformizmit në shoqëri dhe për Antidotin përkatës. Afroi pranë vetes njerëz mendonjës jokonvencional. Më i spikaturi deviator nga norma, Edi Rama që, atipizmin jokonvencional të mendimit dhe të veprimit i kishte me tepri.
Fatos Nano dhe më pas Edi Rama me inteligjencën nga ku buronte humor të zi, u çfaqën si origjinalë, të pazakontë, rebelë, hokatarë, extravagantë që me guxim i thyen dogmat e mentalitetit konformist të shoqërisë. Si deviatorë nga norma me stil pune kreativ forcuan kohezionin e grupit politik, sqaruan kufijtë modernë të grupit socialist dhe katalizuan ndryshimet shoqërore.
Të dy filluan të shikojnë dhe të ecin aty ku nuk kishte shteg. E hapën shtegun mjaftueshëm për të lënë çdonjëri gjurmën e tij në të. Konkuruan idetë, Shqipëria ishte e fituara. Me vulën e PD-s në xhepin e xhaketës “dr. Vula” ka sigurinë absolute se e intubuara PD, skllavja e tij do të largohet nga jeta përqafuar me pronarin e saj. Aq sa mund të shpresohet ringjallja e një të sëmuri në gjëndje vegjetuese në intubim aq mund të ketë shpresë që të vijë ora e mezipritur e largimit nga pushteti të qeverisë Rama.
Doktor Sali Berisha do mbahet mënd në historinë e Shqipërisë si njeriu që aktualisht edhe në ditët më të errëta të PD-së, sillet me të si me një të sëmurë me tru të vdekur, në gjëndje vegjetuese, që edhe pse era e të vdekurit të mbyt, doktori nuk ia firmos çertifikatën e vdekjes. Nëse nuk do të kishim devijuar nga norma me ndihmën e deviatorëve në çdo kohë të caktuar të historisë njerëzore, do të hidhnim ende gurë e guralecë siç bënin paraardhësit tanë, disa mijëvjeçarë më parë.




















