Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që la Erion Veliajn në detyrën e kreut të Bashkisë Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se ky vendim i gjykatës, tregon së pari se ai nuk i ka kapur pushtetet, sikundër pretendon opozita.

Sipas kreut të qeverisë, vendimi cënoi qytetarët, pasi një kryebashkiak ndodhet në qeli.
Rama shton se tani Veliaj duhet të lirohet nga paraburgimi, për të ushtruar detyrën.

“Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

-Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo

-Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo

-Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo🤷🏻‍♂️

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytetu nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.”. shkruan Rama.