Nga Astrit Patozi
Fatos Nano iku sot nga kjo botë, ndoshta pa ndjesinë se po përcillte në amshim edhe përpjekjen e fundit serioze për një Shqipëri liberale, pa bardhezinë e nëmur të ndarjes spekullative dhe qesharake mes patriotëve dhe tradhtarëve, mes engjëjve dhe djajve imagjinarë, që e duan dhe e urrejnë atdheun.
Një mallkim, që e ka shoqëruar këtë komb prej më shumë se një shekulli dhe që, me sa duket, do ta ndjekë edhe për shumë kohë akoma.
Tani, që ai nuk është më, e kemi më të lehtë të shquajmë kontrastin me pothuajse të gjithë të singjashmit e tij, të cilët e kanë parë politikën si një kalë, ku hipet një herë për të mos zbritur më kurrë, dhe kjo për mua nuk është pak.
Ajo, për të cilën ai mund të akuzohet sot e përgjithmonë, është ndoshta vesi më i mirë i karakterit të tij me shumë dritë-hije, gjithnjë sipas legjendave.
Sepse për mua Fatos Nano ishte i vetmi kryepolitikan i këtij vendi, që nuk e mori kurrë seriozisht pushtetin e vet.
Ndërkohë që pothuajse të gjithë të tjerët, përpara dhe pas tij, bënë të kundërtën, dhe në shumicën e rasteve, për të zezën e Shqipërisë.




















