Sulmuesi kamerunas Nicolas Moumi Ngamaleu është përfshirë në një skandal personal. Futbollisti i kombëtares së Kamerunit dhe Dinamos së Moskës është kapur “mat” nga bashkëshortja e tij, në një situatë intime me një tjetër grua, ngjarje që është bërë shpejt virale në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve të gazetarit afrikan Micky Jr., bashkëshortja e futbollistit, Nikki Seey, është larguar menjëherë nga apartamenti pasi ka zbuluar tradhtinë, duke marrë me vete sendet personale. Ndërkohë, autoritetet lokale në Moskë kanë nisur një hetim zyrtar mbi incidentin dhe Ngamaleu është urdhëruar të lirojë banesën.

Skandali shpërthen në një moment delikat për 29-vjeçarin, i cili ishte përfshirë në listën e kombëtares së Kamerunit për ndeshjen e rëndësishme të play-off të kualifikimeve të Botërorit të CAF kundër DR Kongos, që do të zhvillohet më 13 nëntor.

Për momentin, as futbollisti dhe as Federata Kamerunase e Futbollit nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen.