Gazetari Flogert Muça, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundër shkarkimit të Erion Veliajt krijoi një precedent pozitiv.
Sipas tij, kryetarët e bashkive, të cilët përfaqësojnë mijëra qytetarë, duhet të kenë imunitet, ashtu siç kanë edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
“Ai, për interesin e tij, po ngjan sikur po sakrifikon një qytet të tërë, por s’duhet të harrojmë diçka që është shumë e rëndësishme: precedenti që mund të krijohej në rastin Veliaj mund të ishte fatal. Nuk mund të kemi kryetarë bashkish që përfaqësojnë qytete të tëra, me qindra mijëra vota, pa asnjë formë imuniteti.
Kryetari i bashkisë, që përfaqëson vullnetin e mbi 160 mijë njerëzve, duhet të ketë imunitet. Kjo Gjykatë Kushtetuese ka vendosur për herë të parë duke ruajtur veten dhe duke krijuar një precedent që është demokratik. Ky precedent është pozitiv,” tha gazetari Muça.
Ndërkohë, avokati Edmond Petraj theksoi se Erion Veliaj e ka çuar çështjen e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese për ta përdorur më pas, edhe në rast të një dënimi penal, si dënim politik, dhe kjo qasje sipas tij përbën një problem të madh.
“Erion Veliaj ka shkuar në Kushtetuese jo sepse iu dogj barku; Erion Veliaj do ta fitonte shkarkimin. Problemi është se ai kërkon që, pasi të marrë edhe vendimin penal, ta përdorë këtë si dënim politik, dhe ky është problemi,” tha ai./abcnews.al


















