Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është dhënë miratimi për shoqërinë “KAYO” për të zhvilluar aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe shërbimeve të tjera për struktura të sigurisë dhe organe të lidhura me to, si dhe për shoqëritë aksionare shtetërore që veprojnë në këtë fushë. Ky vendim ka si objektiv sigurimin e furnizimit të këtyre subjekteve me produkte dhe shërbime që mund të përdoren nga autoritetet përkatëse.
Sipas vendimit, shoqëria “KAYO” do të duhet të paraqesë çdo gjashtë muaj një listë të produkteve dhe shërbimeve që ofron, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë përmes subjekteve të tjera të krijuara prej saj. Kjo listë do të dërgohet tek autoritetet kërkuese. Gjithashtu, autoritetet që kanë nevojë për këto produkte ose shërbime do të duhet të bëjnë kërkesa formale për t’i marrë ato, duke përcaktuar specifikimet teknike dhe qëllimin e përdorimit.
Në rast se shoqëria nuk mund të plotësojë kërkesat e paraqitura, autoritetet mund të vazhdojnë me prokurimin e produkteve dhe shërbimeve në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik ose në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky vendim është miratuar në përputhje me ligjin nr. 88/2024 për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe municioneve, dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
VENDIMI:
Objekt i këtij vendimi është:
a) autorizimi i shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie;
b) përcaktimi i rregullave, që zbatohen nga subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për furnizimin me produkte të prodhuara apo të përshtatura në Republikën e Shqipërisë apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., ose subjekteve të tjera të krijuara prej saj.
Qëllimi i këtij vendimi është që t’u sigurojë subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, furnizimin me produkte apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., apo subjekteve të krijuara prej saj.
Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., dërgon pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve, që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo 6 (gjashtë) muaj.
Të gjitha autoritetet kërkuese, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kanë të nevojshme furnizimin me produkte apo shërbime nga shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., detyrimisht i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar produktet apo shërbimet që ofron ajo, bazuar në listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj.
Kërkesa, sipas pikës 4, të këtij vendimi, paraqitet në formë shkresore dhe shoqërohet me projektin për mallrat ose shërbimet e kërkuara. Në projekt përfshihen qëllimi i përdorimit, referencat ligjore, specifikimet teknike të mallrave ose shërbimeve, mënyra e zbatimit dhe vlera e projektit.
Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet për mundësinë e furnizimit, sipas kërkesës së administruar nga autoriteti kërkues, me produkte apo shërbime nga vetë kjo shoqëri ose shoqëri të krijuara prej saj.
Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin e parashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës lidhur me mundësinë e realizimit të furnizimit, kërkesa konsiderohet e refuzuar dhe autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me kërkesën e paraqitur prej tyre, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, autoritetet kërkuese hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me këtë shoqëri për plotësimin e nevojave të tyre, në marrëveshje ndërmjet palëve.
Ngarkohen shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., të gjitha strukturat, që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe organet e tyre të varësisë apo shoqëritë aksionare shtetërore të krijuara prej tyre për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.




















