Prokuroria e Posaçme ka zbritur dosjen penale në GJKKO dhe ka bërë kërkesë për kalimin e çështjes në seancë gjyqsore.

Për këtë ngjarje, qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në burg” Safet dhe Behar Bajri si dhe Asmter Bilali për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa Eria Ago u lirua nga Apeli i Posaçëm pak ditë më parë, teksa qëndron në masën “arrest në shtëpi”.

Prokuroria e Posaçme ka mbledhur prova mbi të cilat ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat nën hetim Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i shtetasit Ibrahim Lici.

Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana.