Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim vëllezërit Florian Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj, të akuzuar për vrasje me paramendim, mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe mbajtje të armëve të ftohta.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se Shkëlqim Dukaj, në bashkëpunim me vëllanë e tij Florian Dukaj, dyshohet se ka kryer vrasjen me paramendim të shtetasit Eduart Reci.

Hetuesit thonë se viktima, Eduart Reci, kishte ndërtuar ndër vite dy pallate dhe një vilë në Tiranë dhe i kishte dhënë me qira njësitë e banimit dhe ato tregtare. Mes tij dhe vëllezërve Dukaj ka patur mosmarrëveshje të vazhdueshme për një sipërfaqe toke që, sipas Prokurorisë, ishte pushtuar nga lokali i tyre.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Shkëlqim dhe Florian Dukaj kishin ndërtuar lokalin pa leje në një pjesë toke në pronësi të Recit dhe se debatet për këtë çështje kishin vijuar prej vitesh.

Prokuroria pretendon se për arsye pasurore, dy vëllezërit kanë hartuar një plan të detajuar për eliminimin e Recit. Sipas aktit të akuzës, ata kanë studiuar kohën, vendin dhe mënyrën e ekzekutimit, kanë kryer qitje në poligon, kanë siguruar armë dhe dylbi për veprimin gjatë natës dhe kanë hedhur fishekzjarre në oborrin e lokalit të viktimës për ta nxjerrë atë në pritë.

Nga hetimi rezulton se tentativa e parë për vrasje është kryer më 08.11.2024, ndërsa vrasja ka ndodhur më 13.11.2024.

Prokuroria thekson se të gjitha provat e administruara krijojnë bindjen se vrasja është kryer “me paramendim dhe për interes pasuror”.

Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.