Ngjarja tragjike e 21 Janarit 2011, ku katër protestues humbën jetën para Kryeministrisë, mbetet një nga plagët e hapura të politikës dhe drejtësisë shqiptare.

Bajram Yzeiraj, me përvojën e tij të gjatë në drejtimin e policisë, i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV ofroi një analizë teknike dhe kritike të asaj dite, të cilën ai e përshkroi si një moment ku “egoja për pushtet shkeli çdo ligj dhe çdo normë”.

Sipas tij, gabimi fatal ishte mungesa e koordinimit dhe tërheqja e parakohshme e forcave të policisë nga bulevardi. “Forcat e policisë, kur goditeshin me hunj, treguan një qëndrim tolerant, por kur u sulmuan me dhunë ekstreme, u tërhoqën. Ata e lanë territorin bosh,” shpjegoi Yzeiraj.

Ky veprim, sipas tij, krijoi një vakum sigurie dhe e vendosi Gardën e Republikës, e cila ishte përgjegjëse vetëm për objektin, në një presion të jashtëzakonshëm psikologjik.

“Garda u çfazua, doli nga binaret, doli nga ligji, nga organizimi dhe disiplina. Dhe e gjitha qëllonte me armë,” deklaroi ai. Pika më kritike, sipas Yzeirajt, është fakti që vrasjet ndodhën pasi intensiteti i protestës kishte rënë.

“S’kishte më intensitet, s’kishte më rrezik, garda vret. Pamë një, dy, tre, katër. E ti ma nxjerr një vrasje të pakujdesshme? Në asnjë mënyrë, ajo është me dashje,” këmbënguli ai, duke kritikuar vendimin e gjykatës.

Ai ngriti pyetje serioze për zinxhirin komandues atë ditë, duke pyetur se kush e drejtoi realisht operacionin dhe pse nuk u zbatuan planet rezervë pas tërheqjes së policisë. Ai akuzoi drejtpërdrejt ish-kryeministrin e asaj kohe për prishje të provave dhe ndërhyrje në hetim.

Për Yzeirajn, dosja e 21 Janarit është një provë e madhe për drejtësinë dhe ai shpreson që SPAK, që tashmë e ka në dorë çështjen, të zbardhë të vërtetën dhe të vendosë para përgjegjësisë të gjithë autorët dhe urdhërdhënësit.