Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe vëllai i tij, Andrej, po përmenden sërish në komunikimet e reja të aplikacionit SKY, ku dyshohet për korrupsion të nivelit të lartë dhe ndikim mbi sistemin e drejtësisë në favor të grupeve kriminale. Pakot e SKY-t, të ardhura nga Europol në Serbi, tregojnë për lidhje mes narko-kartelit të Darko Shariq dhe figurave të pushtetit, ndërsa Ministria e Brendshme e Serbisë akuzohet se po i fsheh provat dhe nuk po ia dorëzon Prokurorisë për Krim të Organizuar, shkruan Radar, transmeton KosovaPress. Ndërkohë, qeveria serbe po shtyn ndryshime ligjore që mund ta dobësojnë këtë prokurori, para se të nisë një hetim që potencialisht mund të prekë edhe vetë vëllezërit Vuçiç.
Presioni i pushtetit mbi Prokurorinë për Krim të Organizuar (TOK) ka arritur pikën kritike. Paralelisht me fushatën mediatike kundër saj, po përgatitet edhe ndërhyrja institucionale për t’ia hequr pavarësinë dhe për ta vënë nën varësinë e Prokurorisë së Lartë të Beogradit.
Një nga arsyet kryesore për përshpejtimin e këtij procesi është një pako e re me komunikime të platformës SKY, e dërguar në Ministrinë e Brendshme nga Europol dokumente që, sipas burimeve të Radar, përmbajnë dyshime për korrupsion të nivelit të lartë dhe përmendin drejtpërdrejt presidentin Aleksandar Vuçiç dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiç.
Problem edhe më serioz konsiderohet fakti se Ministria e Brendshme ende nuk ia ka dorëzuar këtë pako Prokurorisë për Krim të Organizuar, gjë që ngre dyshime se po tentohet mbajtja e informacionit jashtë sistemit të drejtësisë.
Sipas dokumenteve të deritanishme të rrjedhura, të cilat tashmë janë pjesë e procedurave gjyqësore në disa vende të rajonit, në komunikimet SKY të grupeve kriminale serbe përmendet Aleksandar Vuçiç me nofkën “Oskar”, vëllai i tij Andrej Vuçiç, ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq (“Edo”), si dhe zyrtari i BIA-s, Marko Parezanoviq (“Markus”).
Burime nga hetimet tregojnë se në bisedat e grupit të Darko Shariqit shtrohet ideja se “vendimet gjyqësore mund të ndikohen vetëm përmes Oskarit”, ndërsa flitet edhe për një takim në BIA, ku kanë marrë pjesë persona nga strukturat e larta të drejtësisë dhe të shërbimeve të zbulimit.
Vëllai i Darko Shariqit, Dushko Shariq, në një mesazh të 26 majit 2020, shkruan:
“E vetmja rrugë reale është përmes Markusit drejt Oskarit. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë… të tjerët nuk munden”, duke iu referuar Aleksandar Vuçiçit me nofkën tashmë të njohur.
Në një komunikim tjetër, të publikuar nga media malazeze Vijesti, i dyshuari Petar Lazoviq flet drejtpërdrejt për Vuçiçin me fjalor banal dhe, në mënyrë indikative, disa nga dëshirat e tyre përfshirë uljen e dënimeve të Shariqit realizohen më vonë në gjykatat serbe.
Dokumentet e reja të SKY-t, të cilat Ministria e Brendshme nuk po ia dorëzon TOK-ut, lidhen me korrupsion të nivelit të lartë dhe me përdorimin e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e rrjeteve kriminale. Sipas burimeve, në këto komunikime përmenden sërish Aleksandar dhe Andrej Vuçiç, duke krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi strukturat e drejtësisë.
Një sërë vendimesh gjyqësore rrëzimi i dënimeve të mëparshme të Shariqit, largimi i gjyqtarit Milimir Lukiq nga rasti dhe vendosja e të pandehurit në arrest shtëpie po vlerësohen nga ekspertët si të sinkronizuara me interesat e rrjetit kriminal dhe të një pjese të pushtetit politik.
Burime brenda Prokurorisë dhe policisë pohojnë se ekziston frikë reale se TOK-u mund të ndërmarrë veprime kundër figurave të larta nëse paketa e re e SKY-t përfshihet në hetime. Pikërisht për këtë arsye, pushteti ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit, me synimin e shndërrimit të TOK-ut në një departament të zakonshëm nën Prokurorinë e Lartë të Beogradit. Sipas ekspertëve, nëse kjo ndodh, çdo hetim që prek figura të larta politike përfshirë vëllezërit Vuçiç mund të ndalet përpara se të nisë.




















