Shkuarjae Lulzim Bashës në SPAK, pati një sinjal se bëhej fjalë për 21 janarin, por pak u tha. Vetë Basha u tregua i rezervuar çfarë është normale, por dhe prirësit e “burimeve” u treguan edhe më shumë të rezervuar.

Ajo që i dha publikut në sinjal se kemi të bëjmë me një avancim të hetimeve ishte një deklaratë allasoj e Sali Berishës dhe një skandal i Adriatik Lapajt.

I pari foli Lapaj, nuk dihet se pse, por duket se nuk ishte e rastësishme. Lapaj, i ftuar në një panel televiziv tha se ishte i informuar se Aleks Nikaj nuk ishte qëlluar nga armët e Gardës së Republikës. “Ma tha njëri”, tha Lapaj pa cituar burimin.

Fakt ishte se deklarata e Lapajt u rrëzua menjëherë nga një logjikë e ftohtë dhe e shëndoshë e një juristi dhe një burri me attribute siç është Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës. I cili është një nga qytetarët më shembullorë të këtij vendi, që tragjedinë e rëndë të familjes së tij, e ka ndjekur me durim për vite e vite në rrugë institucionale.

Mark Nika, me qetësi ju drejtua Lapajt, duke i thënë se ajo deklaratë nuk është e mbështetur në një fakt, pasi ka fakte që thonë të kundërtën.

Dhe Adriatik Lapaj, shyqyr Zotit u tërhoq, duke kërkuar edhe ndjesë. Megjithatë, jemi në një rast që dukshëm kemi të bëjmë me një avancim të hetimeve për rastin e 21 janarit, ku më shumë se të dhëna, kemi spekulime.

Sali Berisha, i cili në gjithë këto vite nuk ka pasur problem të deklarojë se ka urdhëruar se do të qëllonte edhe mbi Edi Ramën, e sipas tij këtë ja ka thënë edhe zyrtarëve amerikanë, këto ditë tha se nuk ka urdhër.

Në fakt nuk ka asgjë të keqe, madje është normale sikur SPAK të kishte dhënë një sqarim publik se çfarë po ndodh realisht në këtë fazë të re të hetimeve për vrasjet e 21 janarit.

Pasi kemi të bëjmë me një fazë të re, ngase prej pyetjes së gardistëve është shkuar tek politikanët e qeveritarët. Ka një gjë se përveç heshtjes zyrtare ka edhe një heshtje të atyrë që proklamojnë hetimet. Kur në të vërtetë jemi në një ngjarjen bazike, kyçe dhe epokale.

Hetimi i vrasjeve të 21 janarit, që do të çojë në një process dhe një vendim gjyqësor, ka shumë gjasa që të jetë një gur kilometrik gjyqësor për materien në fjalë, Pra përdorimin e armëve të shtetit për të vrarë qytetarë, të cilët nuk kanë sulmuar me armë policët, gardistët, shtetin etj etj.

21 janari është një hetim jo dosido, është një stacion ku niset apo mbërrihet nga një zhvillim shtetëror.

Deklarata e Sali Berishës për 21 janarin pa e thirrur kush u duk jo vetëm si një aspekt frojdjan, një thirrje koshience, por edhe një mesazh që ai i çonte drejtësisë.

Në një farë mënyre kemi aktorë që po luajnë me karta të hapura. Ashtu duhet realisht të luajë dhe drejtësia.

Për Gërdecin dhe 21 janarin nuk vlen sekreti apo seancat e mbyllura ku flet Fatmir Mediu. Të paktën njerëzit ta dinë për çfarë bëhet fjalë; qoftë tollumbac apo bombë./Tema