Një seri e re dokumentesh të çështjes Epstein ka hedhur dritë mbi një komunikim privat ku ish-gazetari amerikan Landon Thomas Jr i shkruante financierit Jeffrey Epstein se “Princi Andrew kishte pasur marrëdhënie konsensuale” me një punonjëse të tij.
Emaili, i dërguar në janar 2015, sugjeron se lidhja publike e Andrew me Epstein po “mbante gjallë historinë”.
Në mesazh, Thomas Jr i kërkon financierit të distancohet nga ish-anëtari i familjes mbretërore britanike, duke theksuar se pikërisht Andrew ishte arsyeja pse akuzat po vazhdonin të riktheheshin.
Princi Andrew ka mohuar gjithmonë se ka pasur dijeni apo përfshirje në krimet seksuale të Epstein, pavarësisht miqësisë së tyre të ngushtë.
Thomas Jr, i cili konsiderohej i afërt me Epstein, u kontaktua nga The Telegraph pas publikimit të dokumenteve. Ai deklaroi se nuk kishte informacion të drejtpërdrejtë nga Epstein dhe se komentet e tij në email thjesht pasqyronin raportimet e medias së kohës.
Publikimi vjen vetëm pak ditë pasi një email tjetër i Ghislaine Maxwell e dënuar për trafikim seksual tregonte se Andrew kishte marrë një “masazh” në shtëpinë e saj në Belgravia.
Emri i Andrew është i lidhur prej vitesh me rastin, sidomos pas akuzave të Virginia Giuffre, e cila pretendon se ka pasur marrëdhënie me të në moshën 17-vjeçare.
Mes presionit të vazhdueshëm publik, Mbreti Charles i hoqi Andrew të gjitha titujt mbretërorë muajin e kaluar, shkruan The Sun.
Ndërkohë, anëtarë të Kongresit amerikan i kanë dërguar ish-Dukut të York një thirrje zyrtare për të dëshmuar rreth “miqësisë së tij afatgjatë” me Epstein, edhe pse ai nuk ka detyrim ligjor të paraqitet.
Kjo valë e re zbulimesh vjen në prag të publikimit të një pakoje të madhe dokumentesh të tjera mbi çështjen Epstein, të cilat pritet të deklasifikohen brenda 30 ditëve.
Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve i kanë dhënë tashmë miratimin, dhe dosjet presin firmën e Presidentit Donald Trump për t’u bërë publike.




















