Pjesëmarrja shumë e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashki, ishte fokusi i diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH, e cila u konsideruan si një formë “bojkotimi nga qytetarët”.
Nënkryetari demokrat i Këshillit Bashkiak i Tiranës, Ilir Alimehmeti tha se bojkoti iu bë të gjitha partive politike. Duke parë rolin e opozitës, Alimehmeti theksoi se ajo nuk arriti të frymëzojë qytetarët për të dalë të votojnë.
“Të gjitha partitë u braktisën. Duke filluar nga PS që ka marrë vetëm 10% të votave të qytetarëve dhe kjo bëhet për shkak të qeverisjes së saj dhe korrupsionit. Dhe kemi edhe një situatë të opozitës që është braktisur për arsye të ndryshme. Një opozitë sot për sot nuk arrijnë të frymëzojë njerëzit që të dalin të votojnë dhe këtu kemi një problem madhor. A duhej një frymëzim më i madh nga opozita? Patjetër që po pasi ishte një prag shumë i ulët për t’u kapërcyer”, tha ai.
Ai shtoi se opozita duhet të riorientohet dhe të rinovohet, duke punuar përditë për të fituar besimin e qytetarëve dhe jo duke pritur momentet e fundit për fushatë.
“Kandidatët ishin figura me integritet por aq kohë kishin për të bërë fushatë, por nga ana tjetër opozita punon përditë vetëm që të bëjë rotacionin. Nuk është vetëm një gabim, janë disa që bëri opozita. Nuk mund të fusim një emërues të përbashkët pasi është mungesë frymëzimi. Këto situatë që krijon PS që janë të evidentuar për raportin e OSBE/ODIHR-it për 11 majin fitet për parti-shtet dhe kjo solli dhe pjesëmarrjen e ulët. Mund të bëhej më mirë, ka nevojë për një analizë, por fakti është se 88% nuk dolën për të votuar. Opozita duhet të frymëzojë duke u riorganizuar, duke iu rinovuar dhe jo duke pritur ditët e fundit. Elementi kyç është puna e përditshme”, tha Alimehmeti.




















