Më pak se një vit, kaq zgjati aventura e trajnerit Patrick Vieira në stolin e Genoas në Serie A. Humbja e fundit 0-2 nga Cremonese ka ‘derdhur kupën’ e mbushur përgjatë nëntë raundeve të para të këtij sezoni, me klubin që ende nuk ka një fitore dhe me vetëm tre pikë mban vendin e fundit në renditje.
Criscito dhe Murgita që do të udhëheqin ekipin e parë për ndeshjen kundër Sassuolos. Criscito do të drejtojë seancën e sotme stërvitore. Më pas do të zgjidhet një zëvendësues, me Vanoli, De Rossi dhe Gotti që janë ndër emrat në listë.
Patrick Vieira u ul në stolin e Genoas më 20 nëntor 2024 dhe në 37 ndeshje që drejtoi Genoan, ia doli që të sigurojë një mesatare prej 1.14 pikësh për ndeshje.
“Genoa CFC njofton se Patrick Vieira nuk është më trajner i ekipit të parë. Klubi dëshiron të falenderojë trajnerin dhe stafin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin që kanë treguar gjatë gjithë punës së tyre dhe u shpreh urimet më të mira për karrierat e tyre në të ardhmen. Udhëheqja teknike e ekipit të parë i është besuar përkohësisht Roberto Murgitas, i ndihmuar nga Domenico Criscito”, thuhet në njoftim.
Drejtuesit e klubit nga Genoa kanë bërë këtë lëvizje duke parë gjashtë humbjet, tre barazimet dhe asnjë fitore në nëntë ndeshjet e këtij sezoni.




















