Propozimi ligjor prek veprën penale të goditjes për shkak të detyrës, dhe kanosjes për të njëjtat motive, duke propozuar dënim të autorëve nga 1 deri në 5 vjet. Që një episod të quhet dhunë kundër një punonjësi të medias, duhet që ai të ketë një shenjë dalluese që është i tillë, si një baxhe të varur, apo një mikrofon në dorë, sipas propozimit.
Goditja për shkak të detyrës
“Kur kjo vepër kryhet kundër gazetarit ose punonjësit të medias, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale në funksion të interesit publik dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”
Nisma ligjore përpiqet që gjithashtu të frenojë jo vetëm dhunën, por edhe presionet ndaj gazetarëve.
Kanosja për shkak të detyrës
“Kur kjo vepër kryhet kundër gazetarit ose punonjësit të medias, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale në funksion të interesit publik dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”
Në relacionin shoqërues, deputetja Tabaku thotë se është konsultuar me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, dhe nënvizon se sipas raporteve ndërkombëtare, gazetarët në Shqipëri, vijojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në një mjedis gjithnjë e më sfidues, të shënuar nga rritja e kërcënimeve, presioneve dhe formave të ndryshme të intimidimit.




















