Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian dhe rektorja aktuale e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, zyrtari më i lartë i Komisionit, Stefano Sannino, dhe një zyrtar tjetër i lartë i Kolegjit të Evropës u liruan sot, të mërkurën në mëngjes.
Të tre u arrestuan të martën si pjesë e një hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian pas dyshimeve të forta për mashtrim në periudhën 2021-2022 në lidhje me një vendim të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm për t’i dhënë Kolegjit një program të akademisë diplomatike të BE-së.
Të arrestuarit akuzohen, ndër të tjera, për korrupsion dhe mashtrim.
Ky është skandali më i fundit që ka “tronditur” Bashkimin Evropian.
Dorëheqja e Komisionit në vitin 1999
BE-ja mbeti pa kryetar më 16 mars 1999, pasi i gjithë Komisioni dha dorëheqjen pas një raporti të komisionit të pavarur që gjeti një “humbje kontrolli nga ana e lidershipit”. Presidenti i Komisionit dhe ish-kryeministri i Luksemburgut, Jacques Santer, iu nënshtrua presionit pasi u zbuluan skandalet e keqmenaxhimit të fondeve dhe nepotizmit, me komisioneren Edith Cresson që i ofroi fonde evropiane mikeshës së saj.
2011 “Para për Ndikim”
Në vitin 2011, Zyra Evropiane Kundër Korrupsionit hapi një hetim ndaj katër anëtarëve të Parlamentit Evropian nga Rumania, Austria, Spanja dhe Sllovenia, pasi ata kontaktuan gazetarë që paraqiteshin si lobistë duke premtuar para për të promovuar projektligje. Eurodeputeti austriak Ernst Strasser dhe kolegu i tij slloven Zoran Thaler u dënuan me katër vjet burg.
Pfizergate 2021
Pfizer dyshohet se u favorizua nga Presidentja e Komisionit për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 në prill 2021. Ursula von der Leyen shkëmbeu mesazhe me presidentin e kompanisë farmaceutike, Albert Bourla, duke negociuar një marrëveshje prej 35 miliardë eurosh për 900 milionë doza vaksinash. Gjykata e lartë e BE-së vendosi që von der Leyen shkeli rregullat e transparencës, pasi mesazhet u zhdukën. Megjithatë, Presidentja e Komisionit i mbijetoi mocionit të mosbesimit kundër saj.
2022 Qatargate
Në dhjetor 2022, policia belge arrestoi nënkryetaren greke të Parlamentit Europian, Eva Kaili, dhe eurodeputetin Antonio Pantseri. 1.5 milion euro u sekuestruan në rezidencën e Kailit dhe në vende të tjera, para që vinin nga tarifa të paligjshme për promovimin e interesave të Katarit dhe Marokut në Parlamentin Europian. Kaili dhe bashkëshorti i saj, Francesco Giorgio, këmbëngulin në pafajësinë e tyre.




















