PD bëri homazhe në bustin e Azem Hajradit në Qytet Studenti duke kujtuar 8 dhjetorin e studentëve të vitit 1990, lëvizje e cila rrëzoi regjimin komunist dhe hapi rrugën drejt demokracisë. Të pranishëm ishin ish-studentë të asaj kohe dhe deputetë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e kësaj lëvizjeje duke i cilësuar studentët heronj të vërtetë dhe fuqinë e tyre një “uragan” që ndau vendin nga regjimi.
“Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre. Me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës.
Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.”, tha Berisha.
Berisha shënjestroi dhe qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se sot, 35 vite më vonë, vendi ndodhet në narko-diktaturë.
“Ka vendosur në shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të krimit. Ka zëvendësuar zgjedhejt lira me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë. Kurrë ky komb s’ka pasur në krye një dyshe të tillë si Ramën dhe Ballukun, dy monstra të vjedhjes dhe grabitjes së pasurive. Ai sot është i pari kryeministri në historinë e Evropës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave.”, tha Berisha.
Berisha më tej shpreh bindjen se të rinjtë shqiptarë do të mund ta rrëzojnë Ramën.
“Duke iu uruar gëzuar këtë ditë, i bëj thirrje të rinjve të ngrihen të frymëzuar nga dita e lirisë dhe të përmbysim sa më parë këtë regjim narkodiktatorial që po shkatërron Shqipërinë. “, shtoi ai.




















