Nga Ben Andoni
Kërkesa kryesore e Lëvizjes së Adriatik Lapajt, tashmë i ngujuar para Kryeministrisë, është për një qeveri tranzitore dhe pas një periudhe kalimtare, ku teknokratët do marrin në drejtim vendin, të realizohet një organizim model zgjedhjesh. Opozita kërkon të njëjtën gjë, por kuptohet me asnjë bashkëpunim me kryeministrin. Paradoksi është se dora-dorës ata bashkëpunojnë shpesh me të. E fundit ishte historia e hidhur e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, pas disave syresh më parë në parlament.
Në këtë habitat po merr jetë një përpjekje për të treguar dhe adresuar si duhen problematikat te PD-ja. Por mendësia e ndryshimit real është e huaj te PD-ja. Të paktën deri tani. Dhe, në vazhdë të kësaj ka një përpjekje të madhe për ta relativizuar lëvizjen e grupit “Salianji” tek Partia Demokratike. Në mbledhjen e fundit, përballja më e madhe ishte tek gjërat e moralit politik dhe pikërisht për parimet, por mbi të gjitha çudinë për zgjimin e një grupimi që do të modifikojë sistemin brenda Partisë Demokratike. Si zakonisht, një tufë e tërë që është treguar jo vetëm e ashpër por edhe cinike, ka bërë atë që di më mirë: Të përdorë si zakonisht ofendimet dhe stereotipat. Ankthi tek PD-ja është prishja e status quo dhe sidomos humbja e ekuilibrit për një pjesë të anëtarësisë që gëzon të gjitha privilegjet. Ndaj, është e kuptueshme edhe ky reagim ndaj “Salianjit”. “Frika kolektive stimulon instinktin e tufës dhe tenton të prodhojë egërsi ndaj atyre që nuk konsiderohen si anëtarë të tufës”, thotë Bertrand Rasëll në një nga përsiatjet e tij për politikën. Në këtë sens, e tollovitur nga shumë zhvillime, Partia Demokratike po “i shpëton” sërish analizës dhe më keq akoma po përpiqet të shkojë në gjendjen e saj të fjetur. Nga ana tjetër, maxhoranca po lufton shumë të mbajë një pushtet që po kërruset deri në tokë nga akuzat dhe që po i mbijeton me shumë vështirësi problemeve dhe sidomos korrupsionit. Së fundmi, deklaratat në podcast të kryeministrit Rama ndaj njerëzve të BKH që kanë trokitur në kryeministri dhe nuk kanë dashur të lënë armatimin, më shumë sesa cinizëm është indirekt pranimi i një situate që nuk është aq shumë favorizuese për të. Veçse përbën edhe një largim nga realiteti. Jo vetëm të tijin por edhe përreth tij.
Me pak fjalë, Shqipërisë për t’u futur në një mjedis normal demokratik me sa duket do t’i duhen ose duhen zgjedhjet e parakohshme. Po a është opozita gati? Nuk kanë bërë ende analizën e vitit 2021 dhe me sa duket tani që po kalojnë gjashtë muaj nga zgjedhjet e fundit ka pak gjasa që kjo analizë të bëhet e thellë edhe për vitin 2025. Këtu po penetron lëvizja “Salianji”. Por si mund të shkohet në zgjedhjet e parakohshme? Ka një shenjë të largët, që në fushatë kur kryeministri Rama parashihte vitin 2030 si cak të tij, ndërkohë që mandati mbaron në 2029! Arsyetimi i parë është se ai mbetet i bindur për fitoren. Me një makineri të etur për gara të tilla, PS- ja e tij mjafton të ketë sinjal dhe ndizet fuqishëm, kurse strukturës së PD-së i mungojnë nga ingranazhet e thjeshta dhe deri te timonieri real. A mund ta kapë gafil Rama më idenë e një momenti të zgjedhjeve të parakohshme dhe me këtë të fashisë dhe malin me akuza dhe problematikat e qeverisjes së tij? Kjo është rrugë e mirë por edhe e arsyeshme demokratike, ku ai është i sigurt për fitore, ndërkohë që opozita nuk do që ai të drejtojë këtë proces. Zgjedhjet e pjesshme e treguan tejet të dobët opozitën dhe individët e propozuar prej Shoqërisë Civile përballë Socialistëve. Ndërkohë që opozita po përpiqet dhe një formë interesante është ajo e zgjedhur nga Lapaj në një përpjekje për të ngjallur guximin dhe shpresën e sakrificës edhe tek të tjerët. Sidomos te partitë që përcjellin, falë PD-së, vetëm kryetarët në parlament.
Në këtë parashikim s’duhet të harrojmë edhe një fakt se: Status quo e krijuar nga PS dhe PD, sidomos emrat që përcollën në parlament, si zor të mbajnë peshën dhe përgjegjësinë historike të përgatitjes së Shqipërisë për integrimin e plotë. Debatet e deritanishme e kanë treguar këtë legjislaturë pa identitet, maxhorancën cinike, kurse opozitën shumë kaotike dhe me të njëjtën retorikë si dikur: Akuza dhe ankimime, por edhe përpjekje të munguara për të sjellë në parlament autoritetet e Ekzekutivit. Zgjedhjet duken si bekim për të gjithë për ta futur në një shtrat besimi vendin, kurse përgatitja e tyre një shpërfaqje e mundësive të Shqipërisë demokratike të shekullit XXI. Ndërkohë që Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova kanë bërë disa syresh.
Zgjedhjet e rregullta në Shqipëri mandatohen nga Kushtetuta dhe legjislacioni i miratuar nga Parlamenti. Kuvendi shqiptar ka 140 anëtarë të zgjedhur për një mandat katërvjeçar. Sistemi i zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë është sistemi proporcional me zona zgjedhore shumë-emërore, me listë të mbyllur dhe të hapur. Veçse duhen disa mekanizma për të funksionuar zgjedhjet e parakohshme. Po a mund t’i provojmë ato? Shqipëria e kërkon për t’u futur në një normalitet që i mungon, por vetëm nëse zgjedhjet e parakohshme janë të ndershme dhe palët respektojnë njëra-tjetrën. E pamundur deri tani, por jo pafundësisht.




















