Eugen Beci, ish-Kryeprokuror i Krimeve të Rënda, ka folur në emisionin Now në Euronews Albania me moderatoren Erla Mwhilli mbi debatin për pezullimin e zv/Kryeministes Belinda Balluku. Beci u pyet se, nëse GJKKO vendos të pezullojë Kryeministrin, si do të duhej të veprohej sipas tij në këtë situatë. Ai u shpreh se çështja duhet të zgjidhet nga parlamenti.

“Këto janë probleme legjislative që duhen trajtuar rast pas rasti. Nëse ke krijuar një korpus ligjor dhe nuk ke parashikuar këto raste të reja, atëherë kemi një problem juridik që duhet të zgjidhet nga parlamenti me ligje të reja. Një zgjidhje mund të merret, duke marrë shembullin se si pezullohet një gjyqtar ose një prokuror kur është në hetim. Nuk shoh boshllëk të madh ligjor,” tha Beci.