Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se opozita nuk është vetë e besueshme, ndërsa akuzon shoqërinë se i ka vdekur nervi që nuk del në protestë. Ai tha se nuk i mbetet qejfi nga Berisha që e akuzon partinë e tij si opozita e opozitës dhe që i shërben Ramës dhe tani thonë se pse nuk shkuan në protestë.
“Berisha tha që ne jemi opozita opozitës dhe i shërbejmë Ramës dhe tani thotë: pse nuk erdhët në protestë? Por nuk është vetëm kjo arsyeja, sepse nuk është se më mbetet qejfi mua nga çfarë thotë Partia Demokratike.
E vërteta është që ne na ndan qëndrimi në lidhje me protestën. Për çfarë po protestojmë? Po protestojmë për arritjet e drejtësisë, për faktin se si drejtësia më në fund po nxjerr para drejtësisë të korruptuarit.
Por s’ishte e mundur që drejtësinë njëherë ta quajmë dhe ta komplimentojmë, dhe pastaj nga ana tjetër t’i quajmë Altin Troplini. Kjo tregon se nuk ka koherencë dhe kur nuk ka koherencë, humbet besueshmëria.
Si mundemi të bëjmë një protestë? Ky është problemi kur flasim për besimin e qytetarëve. Pikërisht këtu qëndron thelbi: ne nuk mund të pretendojmë nga shoqëria, të akuzojmë shoqërinë që qenka pa nerv, t’i masim nervin shoqërisë apo t’i bëjmë moralin asaj.
Ndërkohë që vetë nuk jemi të besueshëm. Në radhë të parë është besueshmëria. Kushdo që i bën moralin qytetarëve, duhet më parë t’i bëjë një pyetje vetes.
Mirëpo, a jam unë i besueshëm, mjaftueshëm i besueshëm? Ky është hapi i parë. Hapi i dytë pastaj është të punosh, të vazhdosh, të përpiqesh të bindësh dhe jo t’i bësh gjyqin qytetarëve.
Unë kam respekt maksimal për të gjithë qytetarët që dalin dhe protestojnë kundër korrupsionit, që reagojnë pavarësisht se janë anëtarë partie apo nuk janë, apo janë qytetarë të thjeshtë.. nuk besoj se ka shumë rëndësi.
Të gjithë ata që thonë “po çfarë u arrit me protestën”, u them se protestat bëhen dhe nuk është se në çdo vend të botës bëhen protesta dhe bie qeveria sepse do ishte e thjeshtë që qeveria të binte çdo ditë.
Protestat bëhen për të dhënë një mesazh, për të treguar se me kë je: je me drejtësinë apo je me të korruptuarit. Je i indinjuar, si i indinjuar është një formë proteste, prandaj quhet protestë. Është ngritje zëri dhe shumë mirë bëjnë që protestojnë. Është e drejta e tyre, mirë bëjnë” – tha Shehaj.




















