Analisti, aktivisti dhe financieri anglo-amerikan Bill Browder, i njohur si “armiku numër 1 i Putinit”, ngre alarmin më të fuqishëm të viteve të fundit.

I dëbuar nga Rusia, Browder akuzon Donald Trump se po i shërben interesave të Kremlinit dhe se po e shtyn Ukrainën drejt dorëzimit, gjë që sipas tij do të hapte rrugën drejt një konflikti të ri botëror.

Në një intervistë për gazetarin Antonello Guerrero për “la Repubblica”, Browder paralajmëron se një Amerikë e shkëputur nga NATO do t’i hapte Putinit derën për të sulmuar Evropën. Më poshtë, intervista e plotë.

Intervista e plotë:

“Jam absolutisht i neveritur nga sjellja imorale e Shteteve të Bashkuara të udhëhequra nga Trump, ndaj Rusisë. Ata mendojnë se po bëjnë biznes, duke u përkulur para Moskës, ashtu si negociatori amerikan Steve Witkoff. Por në këtë mënyrë po na çojnë drejt Luftës së Tretë Botërore”, shprehet Browder.

Bill Browder, 61 vjeç, është financier anglo-amerikan, ish-investitori më i madh i huaj në Rusi dhe aktivisti i cili nxori në dritë rastin e avokatit të tij Sergey Magnitsky, i cili vdiq në burg në vitin 2009. Browder është autori i Ligjit “Magnitsky”, që sanksionon zyrtarët rusë të korruptuar, dhe prej vitesh konsiderohet “armik nr. 1 i Putinit”.

A është kjo koha më e errët, Browder?

Të detyrosh Ukrainën të dorëzohet, kur ajo është viktima e luftës, është moralisht e neveritshme. Së dyti, kjo është një katastrofë gjeopolitike, sepse Putini do të ndihet legjitim të sulmojë edhe vendet e NATO-s.

Së treti, po shohim një korrupsion të turpshëm, disa njerëz në administratë duan të bëjnë para me Rusinë, në kurriz të Ukrainës. Dhe Rusia nuk do t’i përdorë këto para për popullin e saj, por për të vazhduar vrasjet dhe torturat. Unë e di mirë këtë realitet, sepse dikur isha investitori më i madh i huaj në Rusi.

Çfarë mund të bëjnë Evropa dhe aleatët tani?

Të paktën nuk mund të ketë një marrëveshje pa pëlqimin e Ukrainës dhe të Evropës. Nëse Trump kërcënon të ndalë ndarjen e informacionit sekret amerikan, ai mund t’i shantazhojë të gjithë. Por shpresoj të mos e bëjë.

Si ndiheni kur shihni SHBA-në kaq të afërt me Putinin?

Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Shtetet e Bashkuara që flakin poshtë vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe demokracisë.

Cilat mund të jenë pasojat për Perëndimin?

Mund të përfundojmë në një Luftë të re Botërore. Nëse SHBA-ja shkëputet nga NATO, Rusia do të sulmojë Evropën. Atëherë do të jemi në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Si mund të shmanget më e keqja?

Bashkimi Evropian duhet të bëhet gjithnjë e më shumë një aleancë e vërtetë mbrojtjeje, sepse NATO që njohim sot mund të mos ekzistojë më.

Trump më herët vendosi sanksione të forta ndaj kompanive ruse të naftës…

Po, kjo më pëlqeu shumë. Ekonomia ruse do të kolapsonte brenda gjashtë muajve. Por pastaj vendosi të ndëshkojë të sulmuarin dhe jo agresorin.

A jeni dakord me idenë se duhet një qasje më proaktive kundër Rusisë?

Absolutisht po. Është e vetmja qasje e mundshme kundër Putinit. Ai respekton vetëm ata që i sheh më të fortë se vetja.