Në seancën e sotme plenare ku po paraqiten shqetësimet e evidentuara në komunitete nga deputetët në zonat që mbulojnë, socialisti Erion Braçe u ndal në tre shqetësime që kanë banorët e njësisë 5 në Tiranë.
Ai u është drejtuar ministrave të qeverisë për të zgjidhur së pari një problem që sipas tij është shqetësues për të moshuarit në këtë zonë që ai mbulon, dhe që lidhet me qendrën shëndetësore, që sipas tij është vetëm një, pasi një tjetër është spostuar kilometra larg.
Po ashtu problem që për Braçen është dhe poliklinika në këtë zonë për fëmijët e dhe nënat e reja, që sipas tij është një ambient i vogël, i vendosur në katin e parë të një pallati.
“E drejta për shërbim shëndetësor është e drejtë jetike, shqetësimi më i madh në njësinë 5 është se i gjithë shërbimi është kufizuar në një qendër shëndetësore, që nuk ka poliklinikë. Ajo që ka ndodhur që nga 28 gushti, është që një nga ambulancat është mbyllur dhe është vendosur kilometra më tutje, mund të jenë 20 mijë hapa që mund të duhet të bëjë një i moshuar që të aksesojë këtë qendër.
Sa herë e flas këtë problematikë më thonë ‘po ke të drejtë’, por nuk lëviz kush. Këtyre të moshuarve në zonën e njësisë 5 u është mohuar shërbimi shëndetësor për shkak të lëvizjes së kësaj ambulance. Edhe edhe konsultorja e fëmijëve dhe nënave të reja, që ndodhet në katin e parë të një pallati. Një dhomë që ka në mes një gomisteri, dhe vazhdon në dhomën e tjetër”, u shpreh Braçe.
Po ashtu shqetësim tjetër për banorët e zonës së Selitës, janë dhe banesat që ende nuk janë legalizuar.
“Një tjetër problem që dua të ngre është se në zonën e Selitës janë banesa të palegalizuara prej 35 vitesh. Shqetësimi ka qenë i vazhdueshëm vit për vit, por nuk ka lëvizje as në këtë rast.
Në programin e qeverisë thuhet se do mbyllet deri në 2028 legalizimet, por nuk shoh asnjë plan konkret që t’u japë zgjidhje këtyre banesa mbi dhe nën unazën e madhe në Selitë.
Do doja që këto tre shqetësime t’i paraqiteshin ministrave dhe të gjendet zgjidhje”, tha Braçe.




















