Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar me një postim të detajuar, ku përgënjeshtron një sërë shembujsh të përdorur nga Sali Berisha lidhur me rastet e pezullimit të ministrave në vende të ndryshme europiane.

Në postimin e tij, Balla publikon rast pas rasti emrat e zyrtarëve të përmendur nga Berisha, duke argumentuar se asnjë prej tyre nuk është pezulluar me vendim prokurori apo gjykate ndërkohë që mbante detyrën ministrore, siç ka ndodhur me masën e pezullimit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Balla i referohet disa rasteve të përmendura nga Berisha si precedentë europianë, të cilët sipas tij janë të pavërtetë:

Dan Shova – Rumani

* Pretendimi: Pezullim si ministër në vitin 2015.

* Sipas Ballës: Shova ka qenë ministër deri më 2014. Masa kufizuese është vendosur një vit më vonë, kur nuk ishte më pjesë e qeverisë.

Elena Udrea – Rumani

* Pretendimi: Pezullim gjatë hetimeve në 2015.

* Sipas Ballës: Udrea nuk ka qenë ministre pas vitit 2012. Akuzat i përkasin vitit 2015, pra jashtë funksionit qeveritar.

Darius Valcov – Rumani

* Pretendimi: “Humbi kompetencat ekzekutive”.

* Sipas Ballës: Valcov dha dorëheqjen. Nuk ka ekzistuar masë pezullimi nga gjykata.

Nunzia De Girolamo – Itali

* Pretendimi: Largim për shkak të pezullimit.

* Sipas Ballës: Ajo ka dhënë dorëheqjen. Nuk ka pasur pezullim institucional ndaj saj si ministre.

Christian Blanc – Francë

* Pretendimi: Pezullim gjatë hetimeve.

* Sipas Ballës: Blanc është larguar me dorëheqje; nuk ka ndodhur pezullim në detyrën ministrore.

Charles Pasqua – Francë

* Pretendimi: Pezullim i kompetencave.

* Sipas Ballës: Pasqua nuk është akuzuar gjatë kohës që ishte ministër dhe nuk ka pësuar pezullim.

Willy Claes – Belgjikë

* Pretendimi: Pezullim “de facto” para dorëheqjes.

* Sipas Ballës: Parlamenti belg në 1995 i hoqi imunitetin për të vijuar procedurat, por nuk ka pasur asnjë pezullim të ngjashëm me rastin shqiptar.

Ivan Vrdoljak – Kroaci

* Pretendimi: Pezullim gjatë hetimeve.

* Sipas Ballës: Nuk ka ekzistuar asnjë vendim pezullimi ndaj tij si ministër.

Duke i cilësuar pretendimet e Berishës si “fake news” shoqëruar me një video- karikaturë të liderit demokrat si Pinoku, Balla argumenton se në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk ka ekzistuar një rast kur një prokuror dhe një gjykatës kanë pezulluar nga detyra një anëtar të qeverisë gjatë ushtrimit të funksionit.

Ai thekson se këto raste, të përdorura nga Berisha si analogji, sipas tij janë të pasakta dhe nuk lidhen me të njëjtën situatë juridike me rastin e ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë në detyrë.