Pas turit në bazë dhe foltoreve paralele me Berishën, Ervin Salianji u kthye në selinë e PD në mbledhjen e kryesisë, ku nxori hapur qëllimin e tij: të ikë Flamur Noka, për t’i lënë vendin atij si numri dy i partisë.
Sali Berisha nuk ndërhyri, vetëm mbajti shënim teksa dëgjonte përplasjen, kur Salianji kërkoi largimin e Nokës. Mesa duket, debati nuk shqetëson askënd për sa kohë nuk bëhet për numrin 1, pasi të dytin e partisë, në çdo rast, e përcakton vetë Berisha.
Analisti Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, vuri në dukje se tensionet e brendshme të PD po dëmtojnë partinë. Ai theksoi se problemi në Partinë Demokratike nuk është Flamur Noka, por vetë Sali Berisha.
“Mendoj se akuzat e ndërsjella që i bëjnë figurat e PD njëri-tjetrit nuk i bëjnë mirë partisë, pasi i demoralizojnë edhe mbështetësit. PD mundohet të krijojë probleme aty ku nuk ka probleme. Salianji u kritikua se mblodhi njerëz. Problemi nuk është Noka, por Berisha. Berisha i ka thënë se njerëzit në Gjirokastër i ka mbledhur ‘kukulla’ e Edi Ramës. Berisha njoftoi protestën që të zhdukë çështjen Salianji” tha Bejko.




















