Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji nis sot foltoren nga qyteti i Durrësit, ku do të zhvillojë takim me demokratët për të diskutuar mbi situatën në PD dhe disfatën e zgjedhjeve të majit. Por, kjo lëvizje e Salianjit duket se e ka trembur Sali Berishën i është ka vënë në lëvizje degët e PD në qytetin bregdetar që tu bëjnë thirrje anëtarëve që të mos i bashkohen takimit të ish-deputetit që mbahet sot në 18:00.
Në mesazhin që u është dërguar anëtarëve të PD nga dega nr.1 dhe 2 në Durrës thuhet se njoftimi për takimin është ndarë nga persona të paautorizuar dhe se kjo lëvizje s’ka të bëjë me PD-në. Më tej, thuhet se kjo thirrje është fund e krye dezinformim, ndërsa u kërkohet demokratëve që të distancohen nga këto të ashtuquajtura takime.
“I nderuar anëtar i PD, dega Durrës! Persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim.
Partia Demokratike sot ka në fokus të betejës së saj korrupsionin Rama–Balluku në Tunelin e Llogarasë dhe aferat e tjera korruptive të tyre. Ndërkohë jemi duke hyrë në procesin e brendshëm të analizës, gjithnjë vetëm brenda forumeve të Partisë. Ndaj ne, si anëtarë të PD-së, distancohemi nga këto të ashtuquajtura takime të njoftuara më datë 3 Dhjetor”, shkruhet në mesazh.




















