Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido është shprehur se lajmet që flasin për mandarinat e prodhuara në Konispol si të konaminuara nga pesticide, nuk janë asgjë tjetër veçse një sulm i organizuar mediatik. Bido thotë se ky sulm është i orkestruar nga ata grosistë të cilët kanë për qëllim futjen në Shqipëri të mandarinave të importuara nga jashtë.

Bido foli gjithashtu dhe për përmbytjet duke thënë se çdo shtëpi e dëmtuar dhe çdo familje do të dëmshpërblehet edhe për bagëtitë e ngordhura.

“Dua ta nis nga një sulm i padrejtë tregtar për mandarinat veçanërisht për mandarinat e Konispolit. Një sulm i orkestruar mediatikisht, një sulm që ka prodhuar që ne të kemi mandarina më shumë sesa 100 lekë në tregje ndërkohë që fermerëve u kërkohet që t’i sheshin me më pak se 40 lekë. Një sulm që vjen prej grosistëve që duan të sjellin mandarina të importuara dhe organizojnë sulme mediatike me gjasë që këto mandarina kanë dalë me pesticide. Në asnjë rast nuk ka asnjë analizë që nxjerr mandarinat e Konispolit me pesticide. Duhet të veprojmë përmes organeve shtetërore dhe veçanërisht duke deklaruar të vërtetën madhe që ky është një sulm që i bëhet këtyre fermerëve. Ka ardhur çasti që për të gjitha produktet që janë të subvencionuara nga vendet e tjera më vlera shumë herë më të mëdha me subvencionimet që vijnë tek ne, ne të vendosim traun në doganë në mënyrë që të mund të shitet produkti vendas në këtë kohë.

Do të dëmshpërblehen të gjitha shtëpitë e dëmtuara, të gjithë krerët e ngordhura si dhe bletaria e zonës. Është e nevojshme të kemi më shumë vëmendjen në këtë drejtim për ullinjtë dhe bizneset e dëmtuara. Këtë herë opozita bojkotoi dhe flamurin. Në ditën e flamurit nuk kishte asnjë nga opozita që të merrnin pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Ka shumë gjëra që mund të bojkotojmë por është kulmi i anormalitetit që të bojkotohet flamuri shqiptar”, tha Bido.