Edhe pse shpesh thuhet se ajo çka i mban gjallë dhe i bën kaq argëtues spektaklet e ‘reality TV’ është plotësimi i dëshirave vuajeriste të shikuesve, në fakt karburanti i vërtetë që i mban ato në lëvizje, në të shumtën e rasteve është irritimi që shkaktojnë tek publiku. Një lloj rage farming që i paraprin botës digjitale dhe smartfonëve. Por, ashtu si politika edhe ‘reality TV’ ka një afat skadence. Pas njëfarë kohe, sherret brenda shtëpisë fillojnë të përsëritin vetveten dhe realiteti i “pafiltruar” që programi pretendon se ofron, befas shndërrohet në format. Për rrjedhojë, teksa audienca lodhet nga përsëritjet e përvitshme, producentët duket se këtë herë zgjodhën të bëjnë atë që jeta publike shqiptare e ka bërë gjithnjë më së miri: zhvendosjen e dramës tjetërkund.

Dhe kështu, drama rrodhi jashtë mureve të shtëpisë së monitoruar 24 orë, drejt panelit të opinionistëve, asaj zone të çuditshme gri në televizionet tona, ku të gjithë flasin me autoritet, por ku në fund askush nuk mban përgjegjësi për ato që thotë. Pikërisht në këtë hapësirë ka hyrë kësaj here Monika Kryemadhi, e prezantuar para nesh jo me gjithë të shkuarën e saj politike, por përmes gjuhës neutralizuese të televizionit, si komentuese, analiste, opinioniste… Thënë shkurt, një personazh televiziv quirky.

Por, problemi është se e shkuara është tepër kokëfortë për t’u detyruar të zhduket kaq lehtësisht. Kryemadhi nuk hyri e vetme në studion e mirëndriçuar të BBVIP. Përkundrazi, ajo mbërriti aty e ndjekur nga vite të tëra kujtese publike, hetime, masa sigurie, dhe pashmangshmërisht, nga figura e ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta – njëherazi ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti, ish-deputet – dhe dikush i cili gjatë pjesës dërrmuese të karrierës së tij (pavërsisht posteve të mbajtura), ka shërbyer jo më shumë se sa si metaforë e gjallë e politikës transaksionale në Shqipëri, e që tani qëndron prej mëse një viti në paraburgim.

Tani, të gjithë jemi të vetëdijshëm se spektaklet ‘reality’ lulëzojnë përmes pezullimit të moralit. Thënë ndryshe, shikuesve iu kërkohet tërthorazi të ulin mburojat e tyre etike për ta kuptuar lojën dhe teksa ulemi para ekranit, jemi të gatshëm të pranojmë edhe sjellje që në përditshmëri do na dukeshin të patolerueshme – poshtërim, manipulim, ekzibicionizëm – sepse të gjitha këto na paraqiten si pjesë të “lojës” dhe “eksperimentit.” Megjithatë, ajo çfarë duket se do të shohim këtë vit në BBVIP Albania është diçka krejt tjetër, pasi ajo çka po na kërkohet është të reshtim së konsideruari korrupsionin si diçka urgjente. Nën dritat e spektaklit, ai (korrupsioni) bëhet i parëndësishëm, duke bërë që përgjegjësia politike dhe llogaridhënia t’ia lenë vendin kohës televizive dhe personaliteteve, që tashmë duhet t’i shohim edhe si argëtues. Kështu, videoja e dikurshme e turit të shtëpisë me nëntë banjo për nëntë mace, nga ekses shndërrohet në video-audicion… Provë e ekscentrizmit, viralitetit dhe e faktit se spektakli mund të tresë gjithçka, duke e shndërruar pabarazinë në argëtim. Pas asaj që pamë të shtunën dhe që do të shohim të shtuna të tëra me radhë, pyetja që shumëkush do i bëjë vetes nuk do jetë më “si ka mundësi që këto gjëra ndodhin”, as si mund të ketë dikush nga një tualet për çdo kafshë shtëpiake kur shumica e njerëzve s’mund të kenë as një shtëpi të tyren… Jo! Nga sot e tutje, duhet të habitemi me faktin se “sa argëtues” qenkan këta njerëz dhe ekscentrizmi i tyre.

Ajo që është ndoshta edhe më e frikshme është se, që të pastrosh një imazh, nuk u dashka ndonjë proces i ndërlikuar rehabilitimi dhe aq më pak ndonjë ndjesë publike. Mjafton ajo që pamë të shtunën… Një pastrim kimik, pa patur nevojë për ujë e sapun. Anjë përpjekje për një hark narrative shpagues, asnjë tentativë mbrojtjeje. Sistemi funksionon në mënyrë shumë më efikase: duke i zhvendosur figurat kontraverse në universin e debateve të parëndësishme televizive, ‘reality TV’ realizon një funksion qytetar. Ai na mëson ta konsumojmë pushtetin si content, të padobishëm e të harrueshëm në momentin që lind një tjetër skandal dhe të pranojmë se sfera publike mund të tretet në botën e argëtimit gjer në vdekje, pa kurrfarë vështirësie. Në këto rrethana, korrupsioni bëhet nuk ka më nevojë të kritikohet dhe as të mbrohet, pasi shndërrohet ngadalë në një mall të mërzitshëm konsumi në mbrëmje të shtunash po aq të mërzitshme.