E kam shkruar që ditën e parë, kur Belinda Balluku u pezullua nga SPAK me akuzën e pabarazisë në tendera, dhe e përsëris sot, kur SPAK, pa mundur ta pezullojë, ka kërkuar arrestimin e saj: zëvendëskryeministrja duhet të japë dorëheqjen. Nuk është dorëheqje faji, por dorëheqje koherence, respekti dhe një mënyrë më e mirë për të mbrojtur veten, por edhe partinë dhe kolegët e saj.
Parimi me të cilin kryeministri Edi Rama u angazhua personalisht në ankimin në Gjykatën Kushtetuese kundër pezullimit të saj ishte një detyrim institucional: Rama duhej të riafirmonte pengesën që pushteti gjyqësor ka për të pezulluar, pa autorizimin e parlamentit, një anëtar të pushtetit ekzekutiv, dhe deri tani ka fituar. Por siç ishte e parashikueshme (dhe madje e kisha parashikuar edhe unë), SPAK, duke mos mundur ta pezullojë Ballukun, u ‘’detyrua’’ të kërkojë arrestimin e saj. Arsyeja e pezullimit nga funksionet qeveritare kishte qenë pikërisht shmangia e përsëritjes së të njëjtit krim dhe prishjes së provave: dy nevoja hetimore të cilat Gjykata Kushtetuese nuk i vuri në diskutim, dhe që për SPAK-un vlejnë ende. Janë të njëjtat arsye që me shumë gjasa do jenë baza e kërkesës për arrest.
Dorëheqja nga detyra e ministres dhe e zëvendëskryeministres, do t’i kishte mundësuar (dhe i mundëson ende sot) Belinda Ballukut të plotësonte dy kërkesat hetimore të SPAK-ut: duke mos mbajtur më funksion qeveritar, ajo nuk mund ta përsëriste dot veprën penale, dhe duke mos pasur më akses në zyrë apo dokumente, do të ishte e pamundur edhe të prishte ose fshinte prova.
Çështja nuk është e parëndësishme përballë kërkesës për arrest të paraqitur në Parlament, për të cilën Edi Rama ka premtuar se “do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë para shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, dhe do të përgatitemi të mbajmë një qëndrim të drejtë, të qartë dhe të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”. Deri tani Rama dhe deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë refuzuar asnjë kërkesë arresti të SPAK-ut, por kësaj radhe duket ndryshe, “duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, kësaj here na kërkohet të japim opinionin tonë”, thotë kryeministri. Çfarëdo të nënkuptojë, Rama mbetet i detyruar të mos tradhtojë neutralitetin që ka ruajtur deri tani ndaj vendimeve të drejtësisë.
Por ky neutralitet nuk është detyrë vetëm e kryeministrit, sepse kjo përgjegjësi politike dhe morale bie edhe mbi gjithë Partinë Socialiste, duke filluar pikërisht nga Belinda Balluku, numri dy i qeverisë. Duke dhënë dorëheqjen, ajo jo vetëm do të tregonte koherencë dhe respekt ndaj drejtësisë, por edhe do t’i ndihmonte kolegët deputetë të vendosnin lirisht, edhe nëse do të donin të mohonin autorizimin. Në fund të fundit, pa mbajtur më poste qeveritare, Belinda Balluku nuk do të kishte më asnjë mundësi të prishte prova apo të përsëriste veprën penale, pikërisht dy arsyet pse SPAK kërkoi “vetëm” pezullimin e saj. As mund të arratiset, pasi pasaporta i është marrë. Në këtë mënyrë Rama, me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, deri tani ka garantuar ndarjen e pushteteve duke refuzuar ndërhyrjen e drejtësisë në prerogativat e ekzekutivit, dhe SPAK mund të vazhdonte hetimet pa frikë ndërhyrjesh.
Belinda Balluku, nga ana e saj, do të mbetej deputete, edhe pse jo si pjesë e qeverisë, e lirë (në çdo kuptim) të vazhdonte mbrojtjen dhe të provonte pafajësinë e saj. Në të kundërt, rrezikohet një përplasje e rëndë institucionale mes politikës dhe drejtësisë, një përplasje që nuk do ta shpëtojë Belinda Ballukun nga hetimi, por as nuk do t’a ndihmojë vendin në procesin e tij të integrimit europian./Shqiptarja




















