Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke u ndalur te kërkesa e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe debatet që kanë shoqëruar këtë çështje.

Ai theksoi se një nga problematikat kryesore lidhet me mënyrën e aplikimit të masave të sigurisë, duke lënë të kuptohet se arresti mund të përdoret si mjet presioni për të krijuar tensione në raportet qeverisëse. Ndreu ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë duhet të ndodhë në rast se Gjykata Kushtetuese vendos që Balluku duhet të vijojë detyrën e saj.

Ndreu u shpreh se nuk është e qartë nëse dorëheqja do ta lehtësonte apo jo situatën, por theksoi se mazhoranca deri më tani ka treguar korrektesë institucionale. Ai pranoi se situata nuk është e këndshme për shumicën qeverisëse, por hodhi poshtë pretendimet se mazhoranca ka ndërhyrë apo ka tentuar të pengojë hetimet.

“Për asnjë rast nuk ka ndodhur që mazhoranca të pengojë hetimet. SPAK nuk ka qenë kurrë më parë kaq komod në raport me një strukturë qeverisëse,” deklaroi Ndreu.