Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi, gjatë prezantimit të platformës së tij përpara KLP-së, ka paraqitur edhe karrierën e tij të gjatë në sistemin e drejtësisë. Xholi është ndalur edhe te fenomeni i nxjerrjes së sekretit hetimor në media.

Pyetja: Ju vetë, nëse do t’ju zgjedhim drejtues, a keni ndonjë vizion apo qëllim për të adresuar këtë fenomen që lidhet me nxjerrjen e sekretit hetimor?

Xholi: “Është një shije shumë e hidhur që në momentin kur kryhen hetime, rezulton që informacionet të dalin nëpër media. Në praktikën time, gjatë fazës së hetimit nuk më ka ndodhur të ketë dalë diçka e tillë, sepse të vetmit persona tek të cilët rrezikohet hetimi dhe çështja janë prokurori, hetuesi dhe gjykata. Detyrimin për të ruajtur sekretin e kemi ne.

Për pjesën tjetër ka dispozita ligjore për ata që nxjerrin akte sekrete, dhe askush nuk është imun. Në praktikën time kam sugjeruar që ne jemi të detyruar të ndërmarrim hapa proceduralë. Ai që vihet në dijeni për aktet duhet të mbajë përgjegjësi, por asnjëri nga palët nuk ka interes për këtë. Sepse askujt nuk ia uroj që t’i bëhet ‘gjyqi në auditore’, por gjyqi duhet të zhvillohet aty ku e ka vendin.”