Bamirësia nuk është një gjest, është një disiplinë, kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë një aktiviteti që u mbajt ditën e sotme.
Rama tha se shpresa e pastërvitur mbetet e brishtë dhe nuk mund të të çojë larg. Ndërsa shpresa e formuar përmes sfidave është “forca që na çon përpara në kërkim të asaj që duam të arrijmë për veten dhe për të tjerët”.
Duke folur për bamirësinë, Rama theksoi se ajo shpesh keqkuptohet si një akt i dhënies së diçkaje që nuk të duhet, por në të vërtetë ka një dimension shumë më të thellë.
Do doja të thosha dy fjalë për shpresën dhe për bamirësinë, shpresa duhet stërvitur. Shpresa nuk është as një yll fati mbi kokat tona dhe as një premtim i turbullt se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Shpresa është një muskul dhe si çdo muskul ajo rritet vetëm kur stërvitet dhe forcohet vetëm kur ekspozohet ndaj vështirësive dhe ndaj pengesave. Prandaj shpresa kur është e pastërvitur është e brishtë dhe s’të çon larg. Shpresa e stërvitur është forca që na çon para në kërkim të asaj që duam të arrijmë për vete dhe për të tjerët. Bamirësia keqkuptohet dhe shumë kush e imagjinon si akt të dhënies së diçka që të s’duhet por besoj bamirësia e vërtet nuk është bujari për atë që ke tepër, por është bujari me veten.
Unë nga gjyshja kam dëgjuar që thotë ‘lum kush jep dhe jo kush merr’ dhe bamirësia është një vendim për ta hapur veten ndaj tjetrit dhe për të mos e parë si të huaj dhe si një barrë kur ai është në vështirësi por si një pasqyrë kur reflektohet masa e njerzillëkut që ke ti. Bamirësia nuk është një gjest, është disiplinë, prandaj bamirësia pa shpresën kthehet në ofendim. Për të gjithë është ofenduese kur dikush e hedh diçka për dikë që ka shtrirë dorën dhe si kthen as sytë’, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek strehimi i afganëve në Shqipëri, duke theksuar se vendi ynë u bë shembull solidariteti në një moment kur shumë shtete aleate hezituan t’i pranonin.
Kryeministri shtoi se vendimi për t’i pranuar nuk ishte thjesht një veprim humanitar, por një qëndrim moral që tregon peshën e vërtetë të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
‘Dua të ndalem në atë ngjarjen lidhur me afganët. Ishte një moment kur Amerika i la mbrapa të gjithë ata që në fakt i kishte nxjerr nga errësira me një premtim të madhe se me ardhjen e Amerikës dhe NATO-s në Afganistan në jetën e tyre do të ndryshonte çdo gjë. Dhe papritur sa hap e mbyll sytë gjithçka mbaroi për ata njerëz dhe aty unë kam parë Amerikën tjetër dhe forcën e atij vendi kur njerëz nga më të ndryshmit dhe që në jetën e tyre jetojnë në kampe të ndryshme dhe në botë të ndryshme u bënë bashkë.
Vinin telefonata më të çuditshme që kërkonin ndihmë nga Shqipëria, sepse ne u bëmë i vetmi vend që hapi dyert për afganët që ishin shumë mysliman për të qenë të mirsëseardhur në shumë vende të tjera të NATO-s ose nuk ishin dhe aq të bardhë. Ne e bëmë këtë. Vendi ynë është një nga vendet më të vogla të NATO-s dhe nuk mund të ishte aq i vogël sa shpirti i atyre që mund të jenë më të pasur dhe më të mëdhenj se ne’, tha Rama.




















