Ministrja Elisa Spiropali ka kujtuar sot 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e përshkruar atë si një udhëheqës të pashoq, prijës politik dhe shpirtëror të kombit shqiptar.

Në një postim të gjatë, Spiropali shkruan se qysh në fëmijëri e kishte perceptuar Rugovën si një figurë profetike, ndërsa më vonë kuptoi se ai ishte një politikan i pakrahasueshëm për nga sjellja dhe stili i udhëheqjes.

Sipas saj, Rugova nuk ngriti tonin, nuk u mburr, nuk denigroi kundërshtarët dhe nuk kërkoi të ishte në qendër të vëmendjes pa arsye. “Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme,” shprehet Spiropali.

Ajo thekson se Rugova mishëroi Dardaninë dhe rrënjët e identitetit shqiptar, duke udhëhequr popullin drejt lirisë me urtësi dhe vendosmëri të palëkundur. “Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës,” shkruan ministrja.

Në postimin e saj, Spiropali nënvizon se figura e Rugovës është e pandarë nga historia e Kosovës dhe perceptimi i saj në botën demokratike. Ajo e vendos Rugovën në vazhdën e traditës më të ndritur të Rilindjes Kombëtare, duke theksuar se “për Rugovën, dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.”

Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe President i parë i vendit të pasluftës, lindi më 2 dhjetor 1944. Sot, 81 vjet pas lindjes, ai vazhdon të kujtohet si arkitekti i rezistencës paqësore dhe simboli i pavarësisë së Kosovës.