Ceremonia e “Topit të Artë” ishte një mbrëmje gala që u transmetua në Tv Klan dhe ku u ndanë çmimet më të rëndësishme sa i përket futbollit shqiptar. Për t’i dhënë ato ishin ftuar personalitete nga më të ndryshme.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili dha çmimin për “Lojtarin e Kombëtares”. Por gjatë prezencës së tij në skenë, kreu i qeverisë nuk la pas batuat në distancë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
“Unë nuk dua të mbaj një fjalim se këtu jemi në mbretërinë e Armand Dukës dhe do flasë mbreti vetë, por unë dua në radhë të parë komplimentoj mbretin për organizimin. Është çdo vit e më spektakolar”, tha Rama.
Vijoi edhe më tej, kur iu kërkua që të bënte një votim brenda kabinetit dhe të zgjidhte ministrin ose ministren më të mirë.
“Ta lejmë këtë muhabet me kombëtaren këtu. Po të votonin këta çunat këtu për njëri-tjetrin do votonin për Armand Dukën nuk diskutohet”, i tha ai Ardit Gjebreas, i cili e prezantoi këtë event.
Por edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, iu drejtua me një batutë kryeministrit kur doli të prezantonte çmimin “Ëndërr Botërori. Ai tregoi bisedat private mes të dyve për mandatet e Dukës në krye të “qeverisë” së futbollit dhe se si Rama synon ta ndjekë.
“Në fakt sa herë që e takoj kryeministrin më pyet sa mandate ke. Mesa duket do të ndjekë mandatet e mia dhe të shpallet mbret i vërtetë”, tha Duka.
Federata Shqiptare e Futbollit vlerësoi në një ceremoni gala më të mirët e vitit 2025. Sulmuesi Bekim Balaj, u shpall fituesi i “Topit të Artë”, për të dytin vit radhazi në Shqipëri. Në kategorinë e vajzave, ky çmim shkoi për Megi Doçin.




















