Nga Baton Haxhiu

E lexova dokumentin strategjik të nënshkruar nga Presidenti Trump dhe kuptova menjëherë se nuk kemi të bëjmë me një tekst të zakonshëm të Shtëpisë së Bardhë. Nuk është manual diplomacie. Nuk është listë dëshirash. Është një zhvendosje historike.

Që në fillim, Trump e përshkruan ndryshimin me fjalët se administrata e tij ka sjellë një “turnaround in so short a time” (një kthesë të shpejtë) duke kthyer Amerikën nga “the brink of catastrophe” (të qenit një hap larg katastrofës) tek forca e saj e vjetër.

Kjo hyrje nuk është retorikë e zbrazët. Është ton i ri. Dokumenti vijon duke e bërë të qartë se Amerika e sotme nuk mund të përballojë më barrën e përhershme të ruajtjes së botës. Se vendi ka hyrë në epokë të re konkurence. Dhe se tani kërkohet seleksionim brutal i prioriteteve.

Në këtë rend të ri, Europa është goditja e parë. Teksti thotë se kontinenti është në rënie të thellë dhe se problemet e tij “are even deeper” (akoma më të thella) sesa stagnimi ekonomik. Dokumenti flet për “civilizational erasure” (shuarje të një civilizimi) dhe për një Europë që ka humbur vetëbesimin e saj historik.

Ky nuk është më kriticizëm i butë. Është aktakuzë. Dhe është i mbështetur nga një tjetër konstatim i fortë. Se Europa ka harruar peshën e vet reale përballë Rusisë. Dokumenti thotë se vendet europiane “enjoy a significant hard power advantage over Russia by almost every measure” (shfaqin një superioritet të dukshëm ushtarak ndaj Rusisë, në pothuajse çdo aspekt) por sërish trajtojnë Rusinë si rrezik ekzistencial.

Kjo krijon, sipas ShBA-së, një politikë të gabuar të frikës që paralizon kontinentin. Ndaj strategjia e re kërkon një kthesë të menjëhershme. Aty thuhet se është “a core interest of the United States to negotiate an expeditious cessation of hostilities in Ukraine” (një interes parësor i SHBA-së që të negociojë sa më shpejt ndalimin e luftimeve në Ukrainë).

Kjo fjali e vetme mjafton për të kuptuar sa thellë ndryshon arkitektura e sigurisë së Europës. Amerika kërkon mbyllje të shpejtë të luftës. Jo fitore. Jo vazhdim të mbështetjes pa kufi. Dokumenti e shpjegon qartë arsyen. Lufta ka shkatërruar stabilitetin e ekonomive europiane. Ka krijuar rrezik përshkallëzimi. Dhe ka mbytur SHBA-në në detajet e një konflikti që nuk është pjesë e interesit të saj kryesor.

Ky është realizëm i ftohtë. Dokumenti e pranon se qeveritë europiane janë të mbërthyera nga “unrealistic expectations for the war” (pritshmëri joreale për luftën) dhe se rruga e tyre politike është bërë pengesë për qetësimin e kontinentit. Në këtë logjikë, mbyllja e luftës në Ukrainë bëhet nyja e madhe e ekuilibrit me Rusinë. Strategjia thotë se SHBA duhet të “reestablish strategic stability with Russia” (të restaurojnë ekuilibrin strategjik me Rusinë).

Kjo nuk është kthesë e vogël. Është rikthim tek realpolitika klasike. Amerika e pranon se nuk mund të përballet me Kinën, botën e energjisë, rikthimin e industrisë, pa siguruar më parë qetësi të detyruar me Rusinë. Dhe nuk mund ta bëjë këtë pa mbylljen e Ukrainës.

Brenda kësaj harte të re, Ballkani del si nyje e vogël, por gjithsesi e rëndësishme për t’u hequr nga axhenda. Dokumenti përmend Kosovën dhe Serbinë si konflikt që Presidenti Trump e ka shuar përmes diplomacisë së shpejtë, duke e përfshirë në listën e tetë marrëveshjeve të arritura brenda pak muajve. Teksti thotë se administrata ka arritur “peace between Kosovo and Serbia” (paqen midis Kosovës dhe Serbisë).

Ky pohim nuk është thjesht vetëlavdërim. Është shpjegimi i mënyrës sesi Washington-i e sheh rajonin. Ballkani nuk është teatri i vëmendjes strategjike. Nuk është pika ku përcaktohet fati i botës. Është dosje që duhet mbyllur. Jo diskutuar. Jo mbajtur pezull. Jo lënë të shpërthejë sërish.

Në këtë kuadër, Serbia rrit rolin e vet. Sepse është porta e ndikimit rus në kontinent. Dhe sepse mbyllja e lojës me Rusinë kërkon që frontet e vogla të mos krijojnë më tensione të panevojshme. Kosova në këtë logjikë duhet të kërkojë garanci të drejtpërdrejta nga ShBA-ja. Jo nga Europa e përshkruar në dokument. Aty ku thuhet qartë se Europa po humbet identitetin dhe stabilitetin e saj të brendshëm.

Në mënyrë të nënkuptuar, dokumenti e kritikon edhe idenë e zgjerimit të pafund të NATO-s duke paralajmëruar se “it is an open question whether certain NATO members will remain European in a few decades” (nuk dihet ende nëse disa vende të NATO-s do të ruajnë identitetin e tyre europian në pak dekada).

Kjo fjali është e rëndë. Dhe është paralajmërim i drejtpërdrejtë se aleanca nuk mund të vazhdojë të zgjerohet mekanikisht. Dhe se vendet që kërkojnë mbrojtje duhet të jenë vetë të qarta për stabilitetin dhe identitetin e tyre. Për Ballkanin kjo do të thotë se mbështetja amerikane nuk është më e marrë për të mirëqenë. Ajo është e kushtëzuar me stabilitet dhe me orientim të qartë.

Në anën tjetër, dokumenti e kritikon BE-në për burokracinë e tepruar dhe përqafimin e një modeli që dobëson sovranitetet kombëtare. Thotë se Europa ka hyrë në një fazë ku ka humbur qartësinë politike dhe aftësinë për të bërë zgjedhje të forta. Në këtë terren, Ballkani shfaqet si zonë e pambrojtur, e lënë pezull, e papërfunduar. Prandaj SHBA zgjedh të vendosë rend të shpejtë.

Kjo është qasja e dokumentit. E ftohtë. E zhveshur. Pa iluzione. Dhe e bazuar në idenë se bota nuk mund të funksionojë më me idealizëm. Se paqja nuk vjen nga qëndrime të gjata morale. Vjen nga ekuilibri i detyruar.

Në këtë kontekst, çështja shqiptare duhet të mendohet me qetësi dhe me largpamje. Duhet të kuptojmë se bota po kalon në logjikën e sferave të influencës. Se fuqitë po rivendosin kufijtë e sigurisë. Dhe se Ballkani do të kërkohet të jetë i qetë. Jo i paparashikueshëm.

Dokumenti i Trump e bën të qartë se interesi amerikan është stabiliteti. Por e bën po aq të qartë se mënyra se si arrihet ky stabilitet ka ndryshuar. Se mjetet janë më të ashpra. Se kompromiset janë më të detyruara. Se diplomacia është më e drejtpërdrejtë.

Dhe ky është realiteti që duhet lexuar sot. Pa frikë dhe pa iluzione. Sepse vetëm duke e kuptuar këtë hartë të re mund të ndërtojmë një strategji të mençur për sigurinë dhe të ardhmen tonë në Ballkan.