Një makinë raportohet se është djegur në Llogara. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”.

Si pasojë e zjarrit ka humbur jetën drejtuesi i mjetit i cili është ende i paidentifikuar. Policia po vijon hetimet.

Makina e shkrumbuar totalisht bashkë me personin. Është tepër e vështirë identifikimi i tij. Për shkak se edhe targat e mjetit janë djegur totalisht duke e bërë të pamundur identifikimin.

“Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur.

Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.

Në aksin nacional Orikum-Dukat-Llogora policia e Vlorës ka ngritur postobllok policor ku po kontrollon disa automjete në zonë.

Ky postobllok vjen si shkak i ngjarjes së regjistruar këtë të hënë në Llogara, ku një person është gjetur i pajetë brenda një makine të djegur. Policia përmes një njoftimi ka konfirmuar se viktima është gjetur në mjet në sediljen e drejtuesit.

Viktima është djegur nga zjarri i rënë në mjet ndërsa ende nuk është identifikuar. Grupi hetimor ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen për zbardhjen e shkaqeve dhe identitetin e viktimës.