Nga Av. EDMOND PETRAJ

SPAK po devijon rrezikshëm nga misioni i tij kushtetues dhe po shndërrohet në një instrument presioni politik, duke kriminalizuar vendimmarrjen publike dhe duke barazuar funksionin shtetëror me përgjegjësi penale automatike.

Hetimi ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk mbështetet në prova konkrete, por në një logjikë të rrezikshme: “ke qenë në krye të institucionit, pra je fajtor”.
Kjo është drejtësi e frikës, jo drejtësi e ligjit.
Kërkesa për heqjen e imunitetit, e shoqëruar me spektakël publik dhe lista procedurash, synon më shumë dënimin moral dhe politik, sesa zbardhjen e së vërtetës penale.

Ky është abuzim me pushtetin e ndjekjes penale dhe shkelje e rëndë e parimit të ndarjes së pushteteve.

Nëse çdo vendim administrativ do të trajtohet si vepër penale, atëherë Shqipëria nuk po ndërton shtet të së drejtës, por shtet paralize institucionale

KEQINTERPRETIM I VEPRËS PENALE TË NENIT 258 TË KODIT PENAL

Vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera” kërkon:
ndërhyrje aktive dhe të qëllimshme;
deformim real të konkurrencës;
lidhje shkakësore midis veprimit dhe përfitimit të paligjshëm.

Në mungesë të provimit të këtyre elementëve, përgjegjësia penale nuk mund të ndërtohet mbi..
vendimmarrje politike;
miratim strategjik;
ose ushtrim kompetencash të përgjithshme institucionale.

MOSPLOTËSIM I KRITEREVE PËR HEQJEN E IMUNITETIT DHE MASAT KUFIZUESE

Heqja e imunitetit dhe kërkesa për arrestim ose kufizim lirie janë masa të jashtëzakonshme dhe, sipas neneve 228/2, 229 dhe 230 të KPP, kërkojnë ekzistencën e..

rrezikut real të arratisjes;
rrezikut për prishjen ose manipulimin e provave;
rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Në kërkesën e SPAK nuk argumentohet asnjë prej këtyre rreziqeve në mënyrë konkrete, duke e bërë masën disproporcionale dhe të pajustifikuar ligjërisht.

SHKELJE E PARIMIT TË INDIVIDUALIZIMIT TË PËRGJEGJËSISË PENALE

Sipas nenit 4 të Kodit Penal, përgjegjësia penale është personale dhe nuk mund të bazohet në funksion, hierarki apo pozitë institucionale.

Në këtë rast.. përgjegjësia penale po atribuohet mbi bazën e ushtrimit të funksionit të ministrit/zëvendëskryeministrit;

mungon ndarja e qartë e roleve midis autoriteteve kontraktore, strukturave teknike dhe organeve vendimmarrëse;
nuk individualizohen veprimet konkrete që përbëjnë elementët objektivë dhe subjektivë të veprës penale të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Kjo qasje bie ndesh me parimin themelor të së drejtës penale nulla poena sine culpa.

Gabimet kryesore të SPAK janë:

Mungesa e dyshimit të arsyeshëm dhe prova konkrete.

Shkelja e përgjegjësisë personale dhe individualizimit penal.

Përdorim i tepruar i masave kufizuese.
Cenim i prezumimit të pafajësisë.

Hetim selektiv dhe standarde të dyfishta.

Komunikim publik i papërshtatshëm.
Interpretim i gabuar i nenit 258 të Kodit Penal.

Mosrespektim i proporcionalitetit dhe ligjshmërisë procedurale.

Rrezik për shkatërrim të balancës së pushteteve dhe presion mbi Kuvendin.

Shteti i paralizuar.
SPAK po kriminalizon funksionin publik