Në kuadër të masave paraprake për menaxhimin e emergjencave civile gjatë sezonit të dimrit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në takimin e përbashkët me Ministren e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, prefektët e 12 qarqeve dhe drejtues të strukturave kryesore të reagimit në terren.
Takimi vjen pas situatave me reshje intensive dhe përmbytje të lokalizuara, ku falë reagimit të shpejtë të strukturave vendore, dëmet u minimizuan. Ministri Demo theksoi se faza e ardhshme kërkon jo vetëm koordinim, por edhe forcim real të kapaciteteve të bashkive, duke e konsideruar këtë thelbësore për menaxhimin efikas të emergjencave.
“Po u japim më shumë fleksibilitet financiar bashkive, që ato të kenë mundësinë të trajtojnë më mirë burimet njerëzore dhe të kryejnë ndërhyrjet e nevojshme në territor sa më shpejt dhe me sa më pak burokraci,” deklaroi Demo.
Ai vuri theksin edhe te reformat në proces, duke nënvizuar se qeveria po ndërmerr disa ndryshime ligjore për të rritur kontrollin mbi territorin dhe për të forcuar rolin e strukturave vendore në reagimin ndaj emergjencave.
“Po modernizojmë mënyrën e funksionimit të ligjit të prefektit, policisë bashkiake dhe inspektoriateve të territorit (IMT). Këto reforma do të sigurojnë jo vetëm më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë efikasitet dhe llogaridhënie,” u shpreh ministri.
Ministri Demo e mbylli duke theksuar se forcimi i pushtetit vendor dhe profesionalizimi i mëtejshëm i strukturave në terren është rruga e vetme për të garantuar reagim efektiv dhe mbrojtje të qytetarëve në çdo situatë emergjente.




















