Nga Baton Haxhiu

Në dosjet e zakonshme penale, korrupsioni fshihet pas gjuhës teknike dhe formulimeve burokratike. Në këtë dosje, ai, Ergysi, flet hapur. Me zhargon rruge, me shifra konkrete dhe me sigurinë e atyre që nuk dyshojnë se dikush po i dëgjon.

Nëse i besohet kësaj dosjeje dhe nëse komunikimet e dokumentuara në të mund të merren si prova, atëherë kemi përballë një çështje serioze korrupsioni.

Jo një episod periferik. Jo një keqkuptim procedural. Por një panoramë të qartë të mënyrës se si flitet për pushtet, para dhe ndikim mbi fondet publike, larg gjuhës zyrtare dhe jashtë çdo norme institucionale.

Këto nuk janë deklarata politike, por fjali të regjistruara. Nuk janë interpretime gazetarie, por dialogë të drejtpërdrejtë, ku tenderët shndërrohen në shifra, përqindje dhe kërcënime dhe shteti shfaqet më shumë si territor për t’u menaxhuar, se sa si autoritet për t’u respektuar.

Në qendër të hetimit janë Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe Mirlinda Karçanaj, emra që dalin vazhdimisht në transkriptimet e bisedave të regjistruara gjatë hetimit për manipulim tenderësh publikë, shantazh dhe pastrim parash. Nuk bëhet fjalë për aludime apo interpretime. Bëhet fjalë për fjali të thëna, të regjistruara dhe të dokumentuara.

Në një nga momentet më të drejtpërdrejta të dosjes, Ermal Beqiri artikulon hapur logjikën e presionit financiar.

“… japësh lekë, të bllokojmë këtu”.

Kjo nuk është një metaforë. Nuk është as një negociatë. Është shantazh i pastër, i lidhur drejtpërdrejt me pjesëmarrjen në procedura publike. Ose paguan, ose mbetesh i bllokuar.

Përqindjet e pushtetit

Në dosje nuk flitet vetëm për pagesa të izoluara. Flitet për ndarje përfitimi, për marrëveshje të strukturuara. Në një tjetër bisedë, Ermal Beqiri flet për përqindje fitimi nga tenderët.

“… e di sa përqind e xhiron… 30 – 33 përqind” .

Këto shifra nuk kanë lidhje me komisione ligjore apo tarifa konsulence. Janë përqindje pushteti. Janë pjesë e një ekonomie paralele që funksionon mbi fondet publike, jashtë çdo kontrolli institucional.

Në një tjetër moment, ndarja përshkruhet edhe më thjesht, me terminologjinë klasike të marrëveshjeve të pista.

“Aty mund t’i vëmë gjysmat ne”.

Gjysmat e kujt. Gjysmat e çfarë. Gjysmat e parave publike.

Fryrja e projekteve

Një nga episodet më domethënëse të dosjes lidhet me manipulimin e drejtpërdrejtë të vlerës së projekteve. Ergys Agasi e thotë pa asnjë hezitim.

“projekti 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

Këtu korrupsioni nuk është më vetëm moral apo procedural. Është matematik. Dyfishim fondesh. Dyfishim dëmi. Dyfishim grabitjeje.

Ky është momenti kur Ministria pushon së qeni viktimë dhe shndërrohet në mjet. Projekti nuk i shërben më një nevoje publike, por një skeme private përfitimi.

Siguria e kapjes

Në dosje, personazhet flasin me një siguri absolute për rezultatin e procedurave. Nuk ka pasiguri, nuk ka konkurrencë reale. Fituesi është i paracaktuar.

“99.9 do bohet… ja me bast”.

Kjo fjali, më shumë se çdo tjetër, përshkruan thelbin e problemit. Kur tenderët nuk janë më gara, por bast i fituar paraprakisht, demokracia ekonomike është e vdekur.

Menaxhimi i parave

Dosja tregon gjithashtu se përfitimi nuk mbaron me fitimin e tenderit. Ai shtrihet te kontrolli i plotë mbi fondet.

“… edhe i ke gjitha ti… edhe i menaxhojmë vetë ne”.

Në këtë pikë, shteti është zhdukur plotësisht nga ekuacioni. Nuk ka më autoritet kontraktor, nuk ka mbikëqyrje, nuk ka kontroll. Ka vetëm një grup që ndan, menaxhon dhe vendos.

Dosja si pasqyrë

Kjo dosje nuk është thjesht një çështje penale. Është një pasqyrë e një sistemi ku pushteti real nuk flet në konferenca shtypi, por në biseda të errëta, larg kamerave, me gjuhë brutale dhe shifra të ftohta.

Ajo që e bën këtë dosje të rëndë nuk është vetëm përmbajtja penale. Është normaliteti me të cilin flitet për korrupsionin. Si për një punë të zakonshme. Si për një proces të menaxhueshëm.

Në këtë kuptim, dosja nuk akuzon vetëm individë. Ajo akuzon një kulturë. Dhe pyetja që mbetet nuk është vetëm kush do dënohet. Pyetja është sa thellë ka hyrë ky sistem dhe sa prej tij është bërë tashmë rutinë shtetërore.

Por pikërisht këtu lind edhe kufiri i domosdoshëm mes gazetarisë dhe drejtësisë. Sepse drejtësia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi komunikime, sado tronditëse të jenë ato. SPAK-u, nëse synon një gjykim real dhe jo një gjyq popullor, ka nevojë për më shumë se dialogë të errët dhe fjali të forta.

Ka nevojë për fakte të plota, për ndjekje të parave, për vendime konkrete, për dokumente, për lidhje të provuara mes fjalës dhe veprimit. Komunikimet mund të hapin një dosje. Mund të alarmojnë opinionin. Mund të shpjegojnë një mentalitet.

Por vetëm faktet e plota e mbyllin një çështje në gjykatë. Dhe pikërisht aty do të matet serioziteti i kësaj dosjeje. Jo nga zhurma që prodhon sot, por nga e vërteta që do të arrijë të provojë nesër.