Nga Klevis Hoxhaj

Partia Demokratike po përjeton një fazë të paqartë orientimi politik, ku anëtarësia kërkon drejtim, frymë dhe qartësi, ndërsa figura të ndryshme të strukturave lokale po rikthejnë takimet me bazën – këtë herë nën logon e PD-së, por pa praninë dhe pa përmendur drejtpërdrejt kreun e saj, Sali Berishën.

Takimi i së mërkurës në Durrës, i organizuar me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe eksponentëve të tjerë të PD-së, solli një foltore të ngjashme me ato tradicionale të demokratëve: dy gishtat lart, flamuri i PD-së në sfond dhe retorikë për “rizgjim” dhe “bashkim”.

Por ndryshimi thelbësor ishte se, ndonëse simbolika ishte berishiste, Berisha mungoi si figurë reference në fjalimet kryesore.

Ndrec Pjetri, kandidati më i votuar nga lista e hapur në qarkun e Durrësit, e nisi takimin me një mesazh të qartë: demokratët, sipas tij, kanë mbetur të shpërndarë që nga humbja e 11 majit.

“Jemi bërë si zogjtë e korbit, as ku jemi, as ku do shkojmë”, tha Pjetri, i cili theksoi se ky rrugëtim nuk ka të bëjë me interesa personale apo kauza individuale.

Në të njëjtën linjë, Artion Bajramaj riktheu kritikat për mënyrën si u menaxhuan primaret brenda PD-së, duke i cilësuar si proces të nisur me energji, por të deformuar në zbatim, ku “fituesi zëvendësohej nga dikush që vendoste nga lart”.

Në këtë atmosferë pakënaqësie të artikuluar hapur ndaj mënyrës së vendimmarrjes në parti, Ilir Alimehmeti u përpoq të krijonte një narrative bashkuese, duke folur për domosdoshmërinë e përmirësimit të strukturave, transparencën me votuesit dhe betejën ndaj qeverisë Rama.

Ai theksoi se PD-ja është “parti e lirë”, duke nënkuptuar nevojën e shmangies së centralizimit.

Por ishte Ervin Salianji ai që doli me mesazhin më direkt politik, duke e çuar takimin drejt një qasjeje që shumëkush e lexoi si tentativë për të ridimensionuar hapësirat e tij brenda PD-së.

Ai nuk përmendi asnjëherë Sali Berishën, ndërsa foli për një PD që duhet “të hapet”, “të përgatitet për rotacion” dhe “të bashkohet” për të mundur Ramën.

Thirrja e tij “bashkohuni me ne” krijoi paqartësi se cilës PD i referohej konkretisht – asaj zyrtare, asaj që ai përfaqëson politikisht, apo një formule të re brenda së njëjtës parti.

Takimi në Durrës shfaqi një kontrast të fortë: nga njëra anë baza demokratike që vijon të identifikohet me simbolikën e dy gishtave – simbolikë e lidhur ngushtësisht me Berishën – dhe nga ana tjetër drejtues e figura lokale që shmangin lidhjen direkte me të në diskurs, duke sinjalizuar një fazë të re tensioni të heshtur brenda PD-së.

Sepse, pa Berishën në sallë, simbolet thonë më shumë se fjalimet.