Gjykata e Lartë ka rikthyer në 1 dhjetor, për rishqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit (GJKKO) çështjen e tre ish-gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini.

Në shkurt të vitit 2019, treshja e Apelit vendosën të pranonin procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe ta dënonin Dritan Dajtin me 25 vite burg duke rrëzuar kështu Shkallën e Parë.

Ky vendim u pasua me reagime të ashpra, edhe nga qeveria e asaj kohe, aq sa u kërkua që ata t’i nënshtroheshin një procesi disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

U urdhërua edhe kontroll i banesave të tyre, por nuk u gjet asnjë provë që mund t’i implikonte, sa i takon çështjes “Dajti”. Nga ana tjetër edhe gjyqtarët mohuan çdo lloj akuze.

Kështu, togat e zeza u vunë nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda në 2020-ën, pas akuzave publike se pranimi i gjykimit të shkurtuar që shpëtoi Dajtin, përbënte aferë korruptive.

Megjithatë, në nëntor të po atij viti, me ngritjen e SPAK, hetimet ndaj tyre u pushuan.

Dritan Dajti u arrestua më 9 gusht 2009, pasi vrau katër efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aksioni për kapjen e tij në plazhin e Durrësit. Për 5 vite rresht, qindra seanca gjyqësore u shtynë ose dështuan, pasi asnjë nga avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata nuk pranoi të merrte përsipër mbrojtjen e Dajtit.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2014-ës. Pas disa “ngërçeve” që u krijuan me vendimin e tre ish-gjyqtarëve, Gjykata e Lartë riktheu vendimin fillestar për Dajtin në qershor të vitit të shkuar.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni, Artur Kalaja prishi dënimin e dhënë nga Apeli për Krimet e Rënda.