Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë për zyrtarët e Bashkisë Tiranë dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në lidhje me prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kombinatit.

Sipas vendimit, Aurel Çuko, Aurel Boriçi dhe Sokol Qehajaj do të vijojnë të qëndrojnë në arrest shtëpie, ndërsa Eleana Guçe, Rexhina Rakipi, Aleksandra Mahmutllari, Shyqyri Maloku dhe Fatmir Firi do të jenë nën masën e detyrimit për t’u paraqitur.

Hetimet nisën për një pallat në Kombinat, i cili ishte prishur në janar të vitit 2020 me mjetet dhe fondet e Bashkisë së Tiranës, por më pas u përfshi sërish në një tender së bashku me edhe 14 ndërtesa të tjera të klasifikuara për shembje pas tërmetit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, pallati nr. 140 nuk është i vetmi objekt që dyshohet se është paguar për t’u shembur ndonëse kishte qenë i rrafshuar më herët; dyshime të ngjashme janë ngritur edhe për pesë ndërtesa të tjera.