Pep Guardiola, trajneri i Manchester Cityt, dha një konferencë të shkurtër për shtyp dy-minutëshe të hënën përpara ndeshjes së së martës në Premier League kundër Fulhamit. Ai iu përgjigj shumicës së pyetjeve me një fjalë të vetme. City është i dyti në tabelën e ligës angleze, pesë pikë pas liderit Arsenal. Fulham është i 15-ti.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar që Gianluigi Donnarumma mori kartonin e tij të katërt të verdhë kundër Leeds, Pep tha: “Po, shumë.” Trajneri i City pretendoi se nuk i kishte folur portierit italian për numrin e kartonëve të verdhë që ka grumbulluar këtë sezon. Leeds, të cilët u mposhtën 3-2 nga City të shtunën, ishin të mërzitur me Donnarumma sepse, duke kërkuar ndihmë mjekësore, ai i lejoi Guardiolës t’u jepte udhëzime lojtarëve të tij.
Rodri nuk është rishfaqur ende
Trajneri i Manchester Cityt tha për Rodrin se ai “nuk është ende i gatshëm për të luajtur” dhe, në lidhje me nëse ai do të rikuperohet për fundjavën, kur skuadra e Guardiolës do të përballet me Sunderland të shtunën, u përgjigj: “Nuk e di”.
Fituesi i “Topit të Artë” 2024 pësoi një dëmtim në kofshë më 5 tetor në një ndeshje kundër Brentford dhe u rikthye në aksion më 2 nëntor në fitoren kundër Bournemouth, duke hyrë si zëvendësues në kohën shtesë.
Megjithatë, Rodri pësoi një rikthim të dëmtimit muskulor dhe do të humbasë edhe ndeshjen kundër Fulham. Në të gjitha garat, Rodri ka qenë në gjendje të luajë vetëm tetë ndeshje këtë sezon, pasi këputi ligamentin e kryqëzuar në shtator 2024 dhe mungoi pothuajse të gjithë sezonin.
Lidhur me ndryshimin e mentalitetit të ekipit të tij, Guardiola deklaroi: “Pse fitojmë? E gjitha varet nëse Phil (Foden) e fut topin në rrjetë. Nuk e di nëse mund ta përkufizosh këtë si mentalitet. Unë nuk besoj në këto gjëra.”
Dhe për Fulhamin, kundërshtarin e tyre këtë të martë: “Marco (Silva, trajneri i Fulhamit) ka qenë atje për një kohë të gjatë. Gjithmonë kanë qenë ndeshje të vështira. Organizimi i tyre është i jashtëzakonshëm. Çdo vit kam ndjesinë se ata bëhen gjithnjë e më të mirë me topin.
Një kundërshtar i fortë, shumë i fortë. I pashë ndeshjet e tyre këto ditët e fundit, dje dhe sot (kundër Chelseat, Arsenalit dhe Sunderlandit). Është gjithmonë e vështirë, gjithmonë ka qenë kështu në stadiumin e tyre të mrekullueshëm në Londër (Craven Cottage).”




















