Nga Namir Lapardhaja
Prej disa kohësh Partia Demokratike kërkonte një të ‘drejtën’ e saj, që kishte të bënte me traditën e vendosur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në Shqipëri, sipas së cilës propozimi për një emërim të tillë i takonte opozitës.
Pasi sot kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, doli dhe pranoi se mazhoranca është tërhequr nga pretendimet e saj dhe ia ka lënë këtë kandidaturë opozitës, grupi parlamentar i PD-së reagoi nëpërmjet një shkrese drejtuar Kuvendit ku i propozonte këtij të fundit ‘shpikjen’ e një formule të allasojtë, sipas së cilës opozita do të propozonte 6 emra, nga këto mazhoranca do të përzgjidhte 3 dhe pastaj do votohej një që përzgjidhte PD-ja.
Ndërkohë që PD nëpërmjet kreut të grupit parlamentar kishte çuar në Kuvend këtë propozim të çuditshëm, Sali Berisha u shfaq në një konferencë për shtyp dhe u shpreh lidhur me emrin e parapëlqyer prej tij.
Ku qëndron e gjithë kleçka e PD-së, e cila po sillet në mënyrë hipokritike me njerëzit e saj dhe pse nuk merr vendimi siç i takojnë një force serioze politike?
Përgjigjja është se PD vuan nga paranoja e tradhëtisë dhe nga sindroma e pazarit me pushtetin.
Në momentin kur PS-ja ia la ‘topin’ në derë, PD-së i bie e gjithë ‘skema’ e ndërtuar gjatë gjithë kësaj kohe.
Ajo ka propozuar një emër, të cilin e di që PS nuk e mbështet, ndërkohë që emra të tjerë janë tërhequr nga funksione në këtë parti, sepse kanë marrë mbështetje nga Berisha dhe njerëz rreth tij lidhur me kandidaturën e Avokatit të Popullit.
Në momentin që PD-së i duhet të dalë me një emër, ajo e di që emrat militantë të saj nuk do të pranohen nga PS-ja, ndaj shpik formula të tilla, në mënyrë që të shfajësohet përpara njerëzve dhe mbështetëse të saj dhe në fund t’u thotë që ne donim, por nuk ju pranoi Partia Socialiste.
Ndërkohë që bën këto manovra taktike, emrin e ka gati, por që nuk do të jetë asnjë prej emrave të lakuar deri më tani.
Një parti që sillet në mënyrë hipokrite me njerëzit e saj, imagjino se si mund të sillet nesër me shqiptarët!
PD dhe opozita duhet të jenë serioze, të marrin vendime dhe të mbajnë përgjegjësi për ato vendime.
Shpikja e skemave të tilla jo vetëm që nuk e ndihmon procesin të jetë i rregullt dhe përfaqësive, por e ekspozon opozitën të paaftë për të qenë vendimmarrëse kur i kërkohet.




















